zoom

Lajme

Adriatik Lapaj kërkon mandatin, letër KQZ: Të shpërndahet sipas listës së hapur

Adriatik Lapaj kërkon mandatin, letër KQZ: Të shpërndahet sipas listës së hapur

Koalicioni “Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga Adriatik Lapaj, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë sipas listës përkatëse të hapur, duke argumentuar se kandidatët e listës së mbyllur kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi përpara nisjes së numërimit të votave.

“Ju bëjmë me dije se kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.

Çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë – dorëheqja nga kandidimi.

Në kuptimin juridik, dorëheqja sjell pasoja të menjëhershme në momentin e paraqitjes së saj.

Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë mënyrë, e kanë përjashtuar veten nga lista zgjedhore, dhe veprimi i tyre nuk mund të zhbëhet me pas me asnjë deklaratë të mëvonshme, pasi nuk kane qenë më pjesë e garës zgjedhore.

Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në liste, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”, thuhet në letrën e “Shqipëria Bëhet”.

Koalicioni mori 16,520 vota në Qarkun Tiranë, duke siguruar një mandat deputeti, por tani ka nisur një betejë politike dhe juridike për ta përcaktuar se kush do ta mbajë mandatin.

Në qendër të përplasjes janë Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, të cilët publikisht po përballen për “fatin” e këtij mandati.

Lapaj është shprehur me vendosmëri se as Shabani dhe as familjarët e tij nuk do të marrin mandatin, duke aluduar për një përpjekje të kundërshtarit të tij për të përfituar në mënyrë të padrejtë./ Zoom.al

Postime të lidhura