Aplikacion
Zeqir Kordhoni, kandidati i renditur i nënti në listën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës, ka deklaruar zyrtarisht se kërkon të ushtrojë mandatin e deputetit nëse shpallet fitues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke i hequr kështu mundësinë kreut të listës, Adriatik Lapaj, për të hyrë në Kuvend.
Në një shkresë të re drejtuar KQZ-së, Kordhoni kërkon që çdo deklaratë e mëparshme e depozituar në emër të tij ose nga koalicioni, të injorohet. Ai thekson se vetëm kjo deklaratë pasqyron qartë dhe saktë vullnetin e tij aktual për të marrë mandatin.
“Kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ose në emrin tim, dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim”, thuhet në kërkesën e Kordonit.
Më herët, Kordhoni deklaroi se nuk mban mend se çfarë kishte firmosur në lidhje me dorëheqjen apo tërheqjen e tij nga lista, duke kërkuar informacion zyrtar nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Zeqir Kordhoni, lindur më 22 shtator 1967, është punëtor ndërtimi dhe përfitues i KEMP-it për shkak të invaliditetit. Ai është gjithashtu daja i Endrit Shabanit, një nga drejtuesit e koalicionit.
Aktualisht, fituese e mandatit për këtë koalicion në Tiranë është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Por që Lapaj të marrë mandatin, duhet që Dajko dhe 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur të heqin dorë nga mandati. Por nëse Kordhoni këmbëngul dhe KQZ e pranon kërkesën e tij, ai përfiton mandatin, duke bllokuar hyrjen e Lapajt në Kuvend./ Zoom.al

ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit