Aplikacion
Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka akuzuar ish-aleatin e tij politik, Adriatik Lapaj, për thyerje premtimi, përjashtim nga vendimmarrja dhe përdorim presioni ndaj anëtarëve të listës.
Në një intervistë për “News24”, Shabani deklaroi se Lapaj kishte premtuar dorëheqjen në rast se koalicioni do të siguronte vetëm një mandat, por më pas u tërhoq nga ky zotim.
“Në fillim tha se do jepte dorëheqjen, pastaj tha se do pyesë kryesinë, më vonë u shpreh se nuk e lejuan ta jepte. Kjo është sjellje tipike e politikës së vjetër”, tha Shabani.
Sipas tij, kjo sjellje minon moralin dhe transparencën që koalicioni pretendoi se përfaqësonte. “Si t’i kërkoj unë kandidatëve të listës të mbajnë fjalën, nëse lideri i koalicionit nuk e mban?”, theksoi ai.
Shabani bëri të ditur se gjatë fushatës ka pasur tensione të mëdha dhe ndjesi përjashtimi mes anëtarëve të Nismës Thurje. “Lapaj vendoste kush flet dhe si flet. Nuk pyeste për askënd”, deklaroi ai.
Më tej, Shabani bëri edhe akuza të rënda për shantazhe dhe kërcënime, që sipas tij kanë ardhur nga persona të afërt me Lapajn, përfshirë kushëririn e tij, Aranit Rexhepaj. “Na kanë marrë në telefon dhe na kanë thënë: ‘Tërhiqu me të mirë, se ka edhe me pahir.’ Janë përmendur fëmijët e njërit prej kandidatëve tanë. Kjo është e papranueshme”, tha Shabani./ Zoom.al