zoom

Lajme

“Beteja” me Lapajn për mandatin, Shabani mohon se futi dajën e tij në listë: Gabime të orës 12 të natës

“Beteja” me Lapajn për mandatin, Shabani mohon se futi dajën e tij në listë: Gabime të orës 12 të natës

Zeqir Kordhoni, daja i Endrit Shabanit, u bë shkak i një përplasjeje të fortë mes këtij të fundit dhe Adriatik Lapajt, për mandatin e vetëm që fitoi koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit.

Kordhoni iu drejtua KQZ-së me kërkesë për të marrë mandatin, duke akuzuar Lapajn se nuk kishte mbajtur fjalën, ndërkohë që dyshohet se pas kësaj lëvizjeje qëndron vetë Endrit Shabani.

Shabani, nga ana e tij, ka mohuar të ketë qenë ai që e propozoi ose përfshiu dajën në listë, duke e cilësuar përfshirjen e tij si një gabim i ndodhur në momentet e fundit të dorëzimit të listave në KQZ.

Ai ka deklaruar se fillimisht kishte propozuar një tjetër kandidate, Majlinda Zikon, por për shkak të një tejkalimi të numrit të grave në listë, Ziko u zëvendësua me Kordhonin.

Gjithashtu, edhe përfshirjen e ish-deputetit Dashnor Sula në listë, Shabani e konsideron si një tjetër gabim të ndodhur në minutat e fundit. Ai ka shpjeguar se nuk ka qenë ai që ka bërë negociatat për këtë emër dhe se vetë ka qenë kundër përfshirjes së figurave nga partitë e vjetra në koalicion.

Sipas tij, ideja ka qenë që koalicioni të përfaqësonte vetëm të rinjtë dhe njerëz jashtë establishmentit politik tradicional.

“Ligji i jep të drejtën kreut të koalicionit që të dorëzojë listat. Ne thjesht propozonim lista. Ne kemi çuar listën tonë të dielën dhe ato janë dorëzuar të mërkurën në 12 të natës. Çdo punë që bëhet në mes të natës ka gabime dhe një nga këto gabime ka qenë edhe kjo e zotit Sula, që iu faturua Nismës Thurje. Edhe zoti Zeqir Kordhoni nuk është propozuar nga Nisma Thurje për listën e mbyllur. Çuam 3 kandidate për listën e mbyllur të Tiranës. Por, kishin çuar më shumë gra seç duhej dhe e zëvendësuan Majlinda Zikon e vendit të nëntë dhe futën Zeqir Kordhonin. Edhe zoti Sula u fut në 12 të natës dhe të nesërmen në mëngjes kërkonte garanci te lista e mbyllur. Negociatat me zotin Sula nuk i kam bërë unë. Unë kam pasur kundërshtitë e mia për disa kandidatë dhe parti të vjetra që donin të bëheshin pjesë e koalicionit. Ka pasur parti të tjera, shumë të vjetra, të cilat donin të bëheshin pjesë e koalicionit, por unë isha kundër sepse doja të ishim të gjithë të rinj”, deklaroi Shabani.

Sipas Endrit Shabanit, gjatë gjithë fushatës zgjedhore, aktivistët e Nismës Thurje janë ndjerë të lënë në hije dhe të përjashtuar. Ai shprehet se situata e krijuar ka sjellë zhgënjim të madh, pasi përplasjet e brendshme kanë dëmtuar vite të tëra pune dhe kanë cënuar besimin e publikut ndaj nismës. Shabani e konsideron gjithë këtë si një episod të panevojshëm që i ka shërbyer më shumë medias, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të vendit, si situata në Theth.

Ai shpreh dëshirën që përplasjet të mos kishin dalë në publik dhe synon të gjejë një zgjidhje që përfshin tërheqjen nga mandati të Adriatik Lapajt, pa pretenduar që vetë ta marrë atë. Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe shmangies së sjelljeve autoritare që rrezikojnë të dëmtojnë më tej misionin e lëvizjes. Në këtë drejtim, ka pasur kontakte edhe me figura të tjera të rëndësishme brenda grupit, si Pano Soko, për të gjetur një zgjidhje që mbron parimet themelore të Nismës.

“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë.

Tani, duhet të gjejmë një mënyrë që Adriatiku të japë dorëheqjen, as unë nuk do e marr, por ta marrë dikush tjetër. Me zotin Pano Soko kam folur dhe do përpiqemi ta zgjidhim, duke mos rikonfirmuar tendencat autoritare që nuk i shërbejnë kauzës”, deklaroi Shabani.

Postime të lidhura