Aplikacion
Zeqir Kordhoni, daja i Endrit Shabanit, ka folur për herë të parë pas polemikave të shumta lidhur me mandatin e tij të deputetit.
Në emisionin Off the Record, ai sqaroi pse kërkoi mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” më 11 maj, dhe duke akuzuar kreun e koalicionit, Adriatik Lapaj, se “na gënjeu”.
Kordhoni ka treguar se angazhimi i tij në fushatë ishte maksimal, duke mbledhur firma, shpërndarë fletëpalosje, qëndroi pa gjumë gjatë numërimit të votave dhe më 11 maj firmosi dorëheqjen sipas premtimit që kreu i koalicionit kishte dhënë përpara zgjedhjeve: nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, Lapaj nuk do ta merrte vetë.
Megjithëse Kordhoni ndoqi këtë premtim, pas zgjedhjeve ai u ndje i tradhtuar kur pa që Lapaj nuk mbajti fjalën — sipas tij: “Adriatiku na gënjeu… Unë nuk ha bar” .
Kur shkoi në KQZ për të dorëzuar dokumentet, Kordhoni deklaroi se Lapaj “u soll si gangster”, duke nënvizuar se, edhe pse nuk dëshiron të bëhet deputet, nuk mund të lejojë që t’i shkelin dinjitetin, duke thënë: “O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë)”.
“Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do jap dorëheqjen, e besova. Kam dalë në diell e shi, mblodha firma, shpërndava fletëpalosje, organizova takime, kam ndejt pa gjumë në numërim për të ruajtur votat, vetëm që të fitonim. Siç kisha dhënë llafin, në 11 Maj firmosa dorëheqjen. Por, kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur. Unë s’jam kalama që të tallet njeri me mua. Unë nuk ha bar. Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë),”- tha Kordhoni.
Aktualisht, fituese e mandatit nga lista e mbyllur e koalicionit në qarkun e Tiranës është Ana Dajko, ndërsa kandidati më i votuar nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Konform marrëveshjes paraprake, do të ishte ky i fundit që duhet të merrte mandatin, kurse kandidatë të listës së mbyllur do ta “digjnin” atë për t’ia hapur rrugën Lapajt. Por insistimi i Kordhonit për të mos hequr dorë nga mandati dhe përballja me KQZ-së, kanë vënë në dyshim këtë skenar.
Kjo çështje ka ndezur tension mes dy udhëheqësve të koalicionit: Adriatik Lapaj ka reaguar ashpër duke thënë se shumica e strukturave janë angazhuar për ta parandaluar që Kordhoni të hyjë në Parlament, ndërkohë që akuzon Shabanin dhe familjen e tij për përpjekje për ndikim.
Nga ana tjetër, Endri Shabani i ka kundërpërgjigjur Lapajt me tone ironike, duke theksuar se mandati nuk është kurrë i tij dhe se pa votat e Nismës Thurje ai kurrë nuk do të kishte shënuar sukses — ndërsa falënderoi Kordhonin që i ndihmoi t’i mbante fjalën e dhënë përpara zgjedhjeve.
Në këtë situatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet entiteti që duhet të vlerësojë dokumentet, pretendimet dhe transparencën ligjore dhe etike për të vendosur nëse Zeqir Kordhoni do të përfaqësojë koalicionin në Kuvend apo do të respektohet marrëveshja paraprake që i ka garantuar mandatin Adriatik Lapajt nga lista e hapur.