Aplikacion
Avokati Kujtim Cakrani ka reaguar për herë të parë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Ilir Metën, duke sqaruar arsyet që çuan në përfundimin e mandatit të tij si mbrojtës ligjor i ish-presidentit.
Në një intervistë për Top News, Cakrani tha se marrëdhënia profesionale me Metën përfundoi pas 13 muajsh, duke theksuar se nuk ka ndodhur “asgjë e jashtëzakonshme”, por se mes tyre ishte krijuar një mosbesim gjatë seancave të fundit gjyqësore, ndërsa “divorci” erdhi pasi ai dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar një drekë në një prej restoranteve në Komunën e Parisit në Tiranë.
“Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Marrëdhëniet dhe marrëveshjet edhe prishen. Prej 13 muajsh kam qenë përfaqësues ligjor i zotit Meta dhe mendoj se e kam përfaqësuar drejt në të gjitha këndvështrimet. I kam bërë një shërbim të jashtëzakonshëm ish-presidentit. Marrëdhënia ka përfunduar sot dhe ishte krijuar një mosbesim, të paktën në dy seancat e fundit gjyqësore”, u shpreh ai.
I pyetur nëse largimi lidhej me deklaratën e tij se nuk ekziston një komplot ndaj Metës nga Monika Kryemadhi apo Shatku, Cakrani u shpreh se qëndrimi i tij bazohet vetëm në provat dhe aktet e dosjes.
“Nga dëshmitarët dhe aktet që janë në dosje nuk kam parë asnjë komplot ndaj tij. Po, kam parë një komplot politik ndaj tij, por jo një komplot që lidhet me dosjen gjyqësore. Nuk ka asnjë komplot nga Kryemadhi dhe as nga dëshmitarët, përfshirë zotin Shatku. Zoti Meta mendon të kundërtën, por unë nuk e ndaj këtë qëndrim. Linjën time mbrojtëse nuk ma dikton dot askush”, deklaroi avokati.
Sipas Cakranit, në dosje ka perceptime të gabuara, por jo prova që implikojnë penalisht Metën.
“Meta është i pafajshëm dhe nuk ka prova që e implikojnë për fajësi penale, por unë ia kam thënë që komplot ndaj tij nuk ka”, tha ai.
Avokati shtoi se, sipas bindjes së tij, ekziston një komplot politik ndaj Metës që ka nisur vite më parë.
“Ka një komplot politik nga armiqtë politikë të zotit Meta që e kanë nisur që nga viti 2009. Ka vazhduar edhe gjatë aleancës me Partinë Socialiste nga segmente të caktuara të saj dhe nga njerëz që Ilir Meta i di shumë mirë, nga prokurorë, ish-prokurorë e deri tek ambasadorja Juri Kim dhe McGonigal. Zoti Meta e di shumë mirë nga kush e ka komplotin, por jo nga ata për të cilët ai ka perceptimin në mendje”, u shpreh Cakrani.
Megjithatë, ai ritheksoi se mbetet i bindur për pafajësinë e ish-presidentit.
“Unë vazhdoj të këmbëngul që zoti Meta është i pafajshëm. Ai është aty për çështje politike dhe nuk ka asnjë fakt penal kundër tij. Këtë e kam bindje dhe do ta mbaj deri në fund. Ai duhet të gjykohet në gjendje të lirë”, deklaroi avokati.
Në fund të intervistës, Cakrani u pyet edhe nëse do të pranonte të ishte avokat i Monika Kryemadhit. Ai nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke u përgjigjur: “Kurrë mos thuaj kurrë. Profesioni të çon atje ku nuk e mendon.”
Vendimi i Metës
Avokati Kujtim Cakrani njoftoi sot përfundimin e marrëdhënies së përfaqësimit ligjor me Ilir Metën.
Sipas deklaratës së firmës ligjore, shkëputja e bashkëpunimit ka ardhur pas humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet palëve gjatë procesit gjyqësor.
Studioja ligjore bën me dije se vendimi është marrë pas seancës së fundit gjyqësore dhe në përputhje me rregullat etike të profesionit.
Por çfarë ndodhi në seancën e së mërkurës?
Seanca e së mërkurës u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë seancës pati debate për Ardian Shatkun, kushëririn e Monika Kryemadhit, i cili konsiderohet një nga personat kyç të përmendur në dosjen hetimore. Ndërkohë, Meta dhe Kryemadhi shkëmbyen akuza dhe replika në sallën e gjyqit.
Pas asaj seance, vetë Cakrani deklaroi për mediat se nuk bëhej fjalë për një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por se tensionet kishin lindur gjatë diskutimeve për Ardian Shatkun.
“Nuk duhet ta agravojmë sikur ishte një zënkë, ishte një moment kur u përmend Shatku, dëshmitar kyç, këto lindën sepse nëse Shatku do të ishte thirrur, s’do të kishin këtë konflikt. Shatku përmendet 327 herë në dosje dhe nuk është thirrur, kjo duket siku ka një komplot. Kanë kaluar 20 muaj e 2 ditë dhe nuk dihet ende pse po mbahet. Ishte tension dhe ngritje zëri e Metës, Shatku është kushëriri i Kryemadhit dhe Meta ka mendimin e tij, mendon se ka komplotuar. As Kryemadhi as Shatku s’kanë bërë komplote, e kanë bërë McGonigal, Dumani dhe Kim. Meta ka thirrur dhe Gonigal si dëshmitar sepse ka dyshime se në vitin 2017, ai ka qenë në Shqipëri. Atë vit sapo kishte marrë postin e kreut të Republikës dhe ndaj tij nisi një sulm, ku McGonifal , Yuri Kim dhe kundërshtarë kanë bërë që të jetë në atë gjendje”, tha Cakrani në fund të seancës.
“Dreka e gabuar”
Pas tensioneve në seance, Monika Kryemadhi së bashku me të besuarën e saj, Elona Guri, kanë konsumuar një drekë me avokatin Kujtim Cakrani në një prej restoranteve në Komunën e Parisit në Tiranë.
Dhe pikërisht ‘mbrojtja’ që Cakrani i bërë Kryemadhit pas seancës dhe sidomos dreka mes tyre ka bërë që Ilir Meta të mos ketë më besim tek avokati i tij, duke vendosur përfundimin e marrëdhënies së përfaqësimit ligjor, dhe siç duket edhe marrëdhënien miqësore.