zoom

Lajme

Gjyqi i Ilir Metës, ish-presidenti: Momentalisht, jam beqar!

Gjyqi i Ilir Metës, ish-presidenti: Momentalisht, jam beqar!

Këtë të premte, më 5 qershor, do të zhvillohet seanca e parë për çështjen ndaj ish-presidentit të Republikës Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Siç vihet re nga pamjet, Meta përsëri është ulur brenda kafazit prej xhami, pavarësisht kërkesave të avokatëve të tij që kjo të mos ndodhë më. Kjo me argumentin se shkel të drejtat e njeriut.

Seanca e sotme po drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani. Ky i fundit refuzoi kërkesën e gazetarëve dhe palëve në proces për transmetimin live të seancës.

Sipas tij, prania e kamerës nuk parashikohet në legjislacion dhe “proceset gjyqësore nuk mund të shndërrohen në spektakle apo në show mediatik”, por procesi duhet të jetë i qetë dhe i garantuar. Prania e kamerës sipas gjyqtarit ndikon në cilësinë e gjykimit dhe shqyrtimit gjyqësor.

Ish-presidenti Meta i kërkoi gjyqtarit Bani të rishikojë vendimin e tij për mos lejimin e transmetimit live të seancës.

“Unë kërkoj ta rishikoni edhe njëherë çështjen e transmetimit live, ne kemi këndvështrimin tonë kur vjen puna tek kjo çështje, do ju lutesha të shikoni dhe raportin e OSBE/ODIHR që thuhet se 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Nuk shoh realisht asnjë arsye që ky proces të mos jepet live. Qeveria është e prirur të deformojë faktet, në këtë mënyrë populli nuk do të ketë mundësinë të shikojë të vërtetën. Këtë çështje s’e kërkoj për veten time për shkak të funksioneve që kam patur, por e kërkoj për të gjithë të pandehurit.”, shtroi kërkesën Meta.

Kërkesa e transmetimit live u rrëzua po ashtu edhe regjistrimi, megjithatë u lejuan përfaqësuesit mediatikë të dëgjojnë seancën.

Pas largimit të kamerave dhe ndërprerjes së transmetimit live, seanca vijoi sipas agjendës. Fjalën e mori ish-presidenti Meta, i cili iu përgjigj pyetjeve standarde të çdo seance.

“Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, dmth i divorcuar”, u shpreh ai.

Më pas fjalën e mori Kujtim Cakrani, avokati i Metës i cili ngriti përsëri shqetësimin për çështjen e kafazit prej xhami

“Kam një kërkesë paraprake, ju kam bërë kërkesë juve një javë më parë për sa i përket kafazit të xhamtë. Ua kam bërë ambasadave, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndërkohë Avokatit të Popullit s’ja kam bërë se është kot…”, tha Cakrani. Në këtë moment, ndërhyn gjykata, i tërheq vëmendjen.

Gjykata u tërhoq për të marrë vendimin në lidhje me çështjen e kafazit.

Postime të lidhura