Aplikacion
Gjykata e Korçës ka vendosur të lirojë nga qelia Altin Nallbatin, vëllain e kandidatit të Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, i cili u arrestua disa ditë më parë pas një përplasjeje me një shofer kamioni në qytetin e Bilishtit.
Sipas vendimit, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Sipas avokatit të tij, Nevzat Tarelli, Prokuroria kërkoi këtë masë sigurie, por mbrojtja e kundërshtoi duke theksuar se mungon fakti penal. Tarelli theksoi se incidenti për të cilin bëhet fjalë nuk përbën vepër penale, por vetëm një konflikt verbal mes dy individëve, i ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit, në unazën e qytetit.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Bledjon Nallbati, i cili u pa në video i përfshirë në konflikt dhe me sjellje agresive, si i vëllai, nuk është përfshirë në procedim penal.
Ai akuzoi prokuroren e çështjes dhe drejtuesin politik të PS në Korçë, Niko Peleshin, se kanë inskenuar rastin për arsye politike. Sipas Nallbatit, prokurorja veproi pa prova të plota, duke kërkuar masë sigurie pa patur në dorë pamjet filmike të incidentit.
“Sikundër e dëgjuat prokurorja e çështjes, ish vartëse e Niko Peleshit, personit që u mor personalisht me inskenimin dhe falsifikimin e kësaj akuze që nuk qëndron, shkon para gjykatës dhe thotë që nuk i kam marrë ende pamjet por them të caktohet një masë sigurie. Thotë vlerësova si të drejtë arrestimin në flagrancë për vepra që nuk qëndrojnë dhe kërkoj që të caktohet një masë sigurie kundër një personi pavarësisht se ende nuk i administroj këto akte”, tha ai.
Në vijim të deklaratës për mediat, deputeti nuk kurseu as kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar se, sipas tij, qytetarët do t’i japin përgjigjen më 11 maj, në ditën e zgjedhjeve./ Zoom.al