zoom

Politikë

Debate të forta në Kuvend/ Bardhi përplaset me Bashën: Ke marrë dy kate në një kullë të shtrenjtë

Debate të forta në Kuvend/ Bardhi përplaset me Bashën: Ke marrë dy kate në një kullë të shtrenjtë

Debatet brenda Partisë Demokratike morën vëmendje në seancën plenare edhe këtë të enjte.

Kreu i PD-së Lulzim Basha u përplas me deputetin Gazment Bardhi, që dikur e kishte aleat.

Shkak për përplasjen mes tyre u bë sërish emri se kush duhet ta drejtojë grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Lulzim Basha shkarkoi Bardhin nga ky pozicion, duke emëruar përkohësisht Flutura Açkën, por ky vendim kundërshtohet nga Bardhi.

Basha akuzoi Bardhin se po mban peng PD me kërkesat që dorëzon në Kuvend për çështjen e grupit.

“Fshiheni pas një akti siç është Rregullorja e Kuvendit, e cila nuk ju jep asnjë të drejtë të vononi me një muaj vendimmarrjen për t’i dhënë PD përfaqësimin që ka në Kuvend. Sot flisni për vendime të grupit të PD, nuk ka, janë interpretimet tuaja të njëanshme. Dihet mirë pse i bëni, se kështu e doni opozitën pa grup të formalizuar. E doni siç e kishit në Kukës. Doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, por kjo nuk është në dorën tuaj. Jepini fund kësaj maskarade. Është detyra juaj të shpreheni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro Kodit Zgjedhor siç e keni për detyrë. Nëse e keni vendosur në kulisat tuaja, aleancat me kullat e errëta ki guxim e thuaji shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance”, tha Lulzim Basha.

Në kundërpërgjigje, Bardhi akuzoi Bashën se nëse bëhet fjalë për kulla, ai ka marrë dy kate në një zonë të shtrenjtë.

“Të jem i sinqertë u emocionova shumë, nga aleanca e kullave, parafolësi është i vetmi që ka marrë dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe kur vjen këtu për aleanca kullash numëro katet e kullave të tuaja në kullën më të shtrenjtë të Tiranës tënden dhe familjarëve të tu. Ti je i vetmi njeri në këtë sallë që je vetëshpallur kryetar partie e nuk guxon të mbledhësh grupin parlamentar. Je ti e tre të tjerë që të shkojnë prapa. Nuk je as opozitë se as përfaqësues të grupit të PD”, tha Gazment Bardhi.