Aplikacion
Ndërsa në Tiranë mbahet protesta për Zvërnecin, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish, duke mbrojtur investimin dhe investitorët që do ta realizojnë atë, e duke quajtur protestuesit vegla qorre që sipas tij po përdoren kundër Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale me titullin “Nuk sheh syri, sheh mendja”, Rama publikoi foto të dy projekteve të zhvilluara nga të njëjtët investitorë, duke i paraqitur ato si shembuj të zhvillimit në harmoni me natyrën.


Sipas kreut të qeverisë, kundërshtimet ndaj projektit nuk vijnë vetëm nga ata që ai i cilëson si “armiq të Shqipërisë Europiane” apo “konkurrentë të Shqipërisë turistike”, por edhe nga qytetarë të ndershëm që, sipas tij, janë manipuluar përmes asaj që e quan “luftë hibride” në rrjetet sociale.
Rama thekson se pronarët e rinj të truallit privat në Zvërnec janë dy vëllezër nga Katari, të cilët, sipas tij, e kanë blerë pronën përmes transaksioneve bankare të certifikuara nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai i përshkruan ata si bashkëpronarë të një konglomerati global me aktivitet të gjerë në Lindjen e Mesme dhe më tej.
Kryeministri ftoi qytetarët të njihen me aktivitetin e investitorëve dhe projektet e tyre të mëparshme, duke argumentuar se bëhet fjalë për sipërmarrës që “nuk vijnë për të prishur, por për të lartësuar” Shqipërinë.
Në fund të reagimit, Rama bëri edhe një krahasim me kundërshtitë që, sipas tij, pati në të kaluarën për ndërtimin e stadiumit kombëtar në Tiranë. Ai tha se njësoj si atëherë, edhe kundërshtarët e sotëm do të ndryshojnë qëndrim pasi të shohin rezultatin e projektit, ndërsa ironizoi duke kujtuar se disa prej tyre më pas bënin fotografi me stadiumin, por vijonin të thërrisnin “Rama ik”.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari