zoom

Bota

Trump hap derën për takim me Khamenein: Irani do heqë dorë nga armët bërthamore

Trump hap derën për takim me Khamenein: Irani do heqë dorë nga armët bërthamore

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë një takim me liderin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të dominojnë arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për “New York Post”, Trump tha se djali i Ali Khameneit është pjesë aktive e diskutimeve që lidhen me përfundimin e konfliktit dhe negociatat për të ardhmen e programit bërthamor iranian. Sipas tij, figura e Mojtaba Khameneit gëzon ndikim të madh në strukturat drejtuese të Republikës Islamike.

“Mund të takohem me këdo nëse kjo ndihmon paqen”, u shpreh Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një takimi të ardhshëm me liderin iranian, në varësi të zhvillimeve diplomatike dhe ushtarake në rajon.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment të ndjeshëm për Iranin, pasi Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht që nga nisja e konfliktit të fundit në Lindjen e Mesme. Deri tani, komunikimet e tij janë bërë vetëm përmes deklaratave të shkruara të transmetuara në televizionin shtetëror iranian.

Prej javësh, mediat dhe zyrtarë amerikanë kanë hedhur pretendime se lideri iranian mund të jetë plagosur gjatë bombardimeve që goditën objektiva strategjikë në Iran dhe që, sipas raportimeve, i morën jetën edhe ish-liderit suprem Ali Khamenei. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Trump bëri gjithashtu një deklaratë të fortë lidhur me programin bërthamor të Iranit, duke pretenduar se Teherani ka pranuar të heqë dorë nga armët bërthamore. Kjo deklaratë nuk është konfirmuar nga pala iraniane dhe mbetet pjesë e negociatave që po zhvillohen në prapaskenë mes aktorëve ndërkombëtarë.

Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan komentoi edhe raportin e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Trump mohoi pretendimet se ishte shtyrë nga Izraeli për të hyrë në konflikt me Iranin, duke theksuar se vendimi për ndërhyrje ishte marrë për të penguar zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.

Sipas tij, ndërhyrja amerikane ka qenë vendimtare për sigurinë e Izraelit dhe për balancat në Lindjen e Mesme. “Pa mbështetjen time, Izraeli nuk do të ekzistonte më”, deklaroi Trump./ Zoom.al

Postime të lidhura