zoom

Aktualitet

BKT reagon për Zoom.al: Projekti i kullave të PD-së nuk është i lidhur me truallin tonë

Banka Kombëtare Tregtare ka reaguar në lidhje me publikimin nga Zoom.al të projektit për ndërtimin e një kompleksi kullash shumëkatëshe në territorin e selisë së Partisë Demokratike, botuar nga revista “MGS Architecture”.

Një zyrtar i BKT-së i pohoi Zoom.al se projekti në fjalë nuk ka të bëjë me truallin e tyre, pra nuk e prek atë.


“Projekti i paraqitur nga studio “Ground 11 Architects” është i gjithi mbi truallin ku ngrihen zyrat e PD-së. Ai nuk prek ish-zyrat e BKT-së dhe truallin mbi të cilin ndodhet godina e bankës”, u shpreh ai.


Sipas studios “Ground 11 Architects, projekti i PD-së “4Freedoms Park” do të shtrihet në një sipërfaqe rreth 8200 metra katror dhe do të ketë një hotel të klasit botëror, apartamente luksoze dhe zyra komerciale, si dhe dyqane me pakicë dhe parkim të bollshëm.

“Ky zhvillim arkitektonik mahnitës me përdorime të përziera jo vetëm që do të bëhet një destinacion historik në Tiranë, por gjithashtu do të shërbejë me krenari si vitrinë e botës”, thuhet në publikimin e “MGS Architecture”.

“Vendndodhja unike e projektit –ngjitur me Parlamentin dhe i vendosur midis dy prej objekteve të kultit, (katedrales katolike dhe xhamisë së madhe) – siguron që Parku 4Freedoms të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme për qytetarët e mishërimit të gjallë të lirisë demokratike në praktikë , diçka që ishte rreptësisht e ndaluar për gati pesëdhjetë vjet nën regjimin e mëparshëm Stalinist”, shkruan në komentin e tij për këtë projekt drejtori i dizajnit, Pranav Iyer.

Partia Demokratike e ka cilësuar gënjeshtër lajmin duke akuzuar se pas tij fshihet ish-kryeministri Sali Berisha, por PD nuk është institucion i përfshirë ligjërisht në projekt, nëse ai ekziston.

Nga ana tjetër, institucionet zyrtare, si Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, deri tani nuk e kanë mohuar ekzistencën e projektit.