zoom

Aktualitet

EKSKLUZIVE/Kulla në vend të selisë së Partisë Demokratike. Zbulohet projekti për hotelin luksoz

Lufta për selinë e Partisë Demokratike duket se nuk është vetëm politike.

Zoom.al ka zbuluar se ekziston një plan për ndërtimin në truallin e saj të disa kullave të larta, që do të shërbejë si njësi banimi dhe shërbimi, por edhe si hotel.

Revista “MGS Architecture”, një botim i “NBM Media”, ka publikuar konceptin e projektimit i krijuar prej studios “Ground 11 Architects” për atë që do të njihet si “4Freedom Park”.

“Arkitektura e guximshme dhe unike e ndërtesave të projektit synon të pasurojë karakterin e horizontit të Tiranës duke projektuar një shprehje të patrembur dhe forcë, të njohur menjëherë në mbarë botën si një strukturë ikonike”, – thotë drejtori i dizajnit dhe bashkëthemeluesi i “Ground 11 Architects”, Pranav Iyer për këtë projekt.

Revista “MGS Architecture” bën të ditur gjithashtu se “4Freedoms Park” do të shtrihet në një sipërfaqe rreth 8200 metra katror dhe do të ketë një hotel të klasit botëror, apartamente luksoze dhe zyra komerciale, si dhe dyqane me pakicë dhe parkim të bollshëm.

“Ky zhvillim arkitektonik mahnitës me përdorime të përziera jo vetëm që do të bëhet një destinacion historik në Tiranë, por gjithashtu do të shërbejë me krenari si vitrinë e botës”, thuhet ne publikimin e “MGS Architecture”.

“Vendndodhja unike e projektit –ngjitur me Parlamentin dhe i vendosur midis dy prej objekteve të kultit, (katedrales katolike dhe xhamisë së madhe) – siguron që Parku 4Freedoms të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme për qytetarët e mishërimit të gjallë të lirisë demokratike në praktikë , diçka që ishte rreptësisht e ndaluar për gati pesëdhjetë vjet nën regjimin e mëparshëm Stalinist”, shkruan në komentin e tij për këtë projekt drejtori i dizajnit, Pranav Iyer.

“MGS Architecture” tregon në faqen e saj se projekti ka 3 vjet që punohet. Por pavarësisht kësaj, në Shqipëri për të nuk ka folur deri tani as Bashkia e Tiranës, as Partia Demokratike dhe as Qeveria.

Nuk është ende e qartë se kush e ka kontraktuar  “Ground 11 Architects” për të bërë projektin, Bashkia, Partia Demokratike apo Qeveria Rama. /Zoom.al