zoom

Aktualitet

FAKTET/ Trualli i selisë së PD, i planifikuar për ndërtime me lartësi pa limit

Lajmi i publikuar në Zoom.al mbi një projekt për ndërtimin e disa kullave luksoze aty ku sot ndodhet selia e Partisë Demokratike shkaktoi reagime të forta politike. (shih më poshtë lajmin)

I pari që reagoi ishte ish –kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi kryetarin e PD, Lulzim Bashën, se është pjesë e këtij projekti me kryeministrin Edi Rama, siç janë bashkë, sipas tij, edhe në Portin e Durrësit.

Partia Demokratike nxitoi të kundërpërgjigjet, duke e quajtur një gënjeshtër të Sali Berishës lajmin e publikuar në Zoom.al.
Redaksia e Zoom.al e zbuloi planin për ndërtimin në truallin e saj të disa kullave të larta, që do të shërbejë si njësi banimi dhe shërbimi, por edhe si hotel, në faqen zyrtare të revistës “MGS Architecture”, një botim i “NBM Media” (klikoni KËTU për lajmin original).

“MSG Achitecture” ka publikuar në faqen e saj online konceptin e projektimit i krijuar prej studios “Ground 11 Architects” për atë që do të njihet si “4Freedom Park”.

“Ground 11 Architects” rezulton të jetë një studio që ka zyra në Indi dhe në Los Angelos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe nga Partia Demokratike, bashkia e Tiranës dhe Qeveria nuk kanë reaguar në lidhje me lajmin. Zoom.al u dërgoi atyre një kërkesë zyrtare për informacion.

Por në pritje të kërkesës zyrtare Zoom.al zbuloi se vendi ku ndodhet sot selia e Partisë Demokratike është planifikuar si zonë për t’u zhvilluar, me ndërtime me kate të papërcaktuara.

Në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës sipërfaqja nga xhamia e madhe te ish –hotel Dajti përcaktohet si zonë me status “Përzier-Banim, Monumentale, Shërbime Publike, i Veçantë”, siç shihet në këtë hartë të PPV-së për përdorimin e tokës në Tiranë.

Urbanistët shpjeguan për Zoom.al se me statusin “i Veçantë”, bashkia e Tiranës apo KKT mund të japin leje për pallate me lartësi të pakufizuar.

Në zonat e tjera, lartësitë e ndërtesave janë të parashikuara dhe lejet nuk mund të jepen jashtë përcaktimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor.

Studio “Ground 11 Architects” që thotë se ka hartuar projektin, ka parashikuar kulla mbi 20 kate të larta, për shërbime e hoteleri.

Fakti që në Planin e Përgjithshëm Vendor hapësira që përfshin edhe selinë e PD është përcaktuar si zonë ku mund të ndërtohet e bën më të besueshëm projektin.

Por deri tani është e paqartë se kush e ka porositur atë dhe kush e ka paguar faturën.

 Sipërfaqja në fjalë pretendohet si pronë e familjes Toptani në Tiranë. Një projekt i mëparshëm, i miratuar nga qeveria e Sali Berishës në vitin 2012, parashikonte ndërtime nga 3 deri në 8 kate.

Disa media pranë qeverisë raportuan se bëhet fjalë pikërisht për këtë leje zhvilimore, por në të vërtetë ai projekt, që kishte edhe miratimin e familjes Toptani dhe pronarëve të tjerë më të vegjël të tokës, është rrëzuar që me ndërtimin e Xhamisë së Madhe.

Që projekti për të cilin flet studio “Ground 11 Architects” të realizohet, qeveria do të duhej t’i siguronte Partisë Demokratike një seli tjetër. Vetë PD nuk do të kishte asnjë rol ligjor për ta penguar apo lejuar projektin, por ajo do të mund ta politizonte çështjen nëse nuk do të ishte dakord.

Partia Demokratike, përpara se të reagonte, do të duhej të kërkonte informacione zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës apo Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit mbi projektin e raportuar. Politizimi i çështjes nuk u shërben përpjekjeve për të hedhur dritë më të. /Zoom.al