Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar kryeministrin Albin Kurti për fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një arritje të rëndësishme të demokracisë dhe një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Berisha shpreh vlerësime edhe për të gjitha forcat e tjera politike në Kosovë për pjesëmarrjen, qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vullnetit të sovranit. Sipas tij, zgjedhjet e zhvilluara, të dytat brenda një harku 10-mujor, u karakterizuan nga një fushatë e lirë, procedura korrekte votimi, garë e ndershme dhe administrim i rregullt i procesit zgjedhor.
Berisha thekson se ky proces përfaqëson një sukses të vërtetë të demokracisë së re të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, duke shpresuar që të shërbejë si shembull dhe frymëzim për Shqipërinë. Ai ka përgëzuar gjithashtu autoritetet e Kosovës dhe institucionet e administrimit zgjedhor për garantimin e rendit demokratik.
Në fund të mesazhit të tij, Berisha ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë proces zgjedhor, duke e cilësuar Kosovën si krenari të shqiptarëve.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve! /Zoom.al