Aplikacion
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë konfirmuar edhe një herë dominimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Albin Kurti, i cili është shumë pranë formimit të qeverisë së tretë radhazi, pa pasur nevojë për bashkëpunim me partitë opozitare.
Sipas rezultateve paraprake, pasi janë numëruar më shumë se 97% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Vetëvendosje ka siguruar afro 50% të votave. Ky rezultat përkthehet në rreth 56 mandate në Kuvendin e Kosovës, duke e vendosur Kurtin vetëm pak deputetë larg shumicës së nevojshme për qeverisje.
Duke qenë se për krijimin e qeverisë kërkohen 61 vota, Kurtit i mjaftojnë edhe 5 deputetë nga radhët e pakicave joserbe, të cilat kanë gjithsej 10 vende të garantuara në parlament. Kjo e bën të mundur formimin e qeverisë “Kurti 3” pa pengesa politike dhe pa negociata të gjera.
Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të vitit 2025, Vetëvendosje ka shënuar një rritje prej rreth 8%, duke forcuar më tej pozitën e saj si forca kryesore politike në vend.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka ruajtur pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje. Nën drejtimin e ri të Bedri Hamzës, PDK ka marrë pak mbi 20% të votave, çka i siguron rreth 23 mandate, një më pak se në zgjedhjet e mëparshme.
Humbësja më e madhe e këtij procesi zgjedhor rezulton të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku ka zbritur në rreth 14% të votave, duke humbur rreth 4% krahasuar me zgjedhjet e shkurtit. Si pasojë, LDK pritet të ketë rreth 15 deputetë, pesë më pak se më parë.
Jashtë Kuvendit mbetet edhe Fatmir Limaj, i cili garoi i vetëm dhe nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka marrë rreth 6% të votave, duke siguruar 6 mandate, dy më pak se koalicioni i saj në zgjedhjet e fundit.
Rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen në ditët në vijim, por konfigurimi i ri politik e bën të qartë se Albin Kurti ka tashmë epërsinë e nevojshme për të udhëhequr sërish qeverinë e Kosovës./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit