zoom

Aktualitet

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, burgim i përjetshëm për Plaurent Dervishajn 

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, burgim i përjetshëm për Plaurent Dervishajn 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, të ndodhur në vitin 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Me vendimin e dhënë këtë të premte, GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, ndërsa Julian Meçe u dënua me 35 vite burg. Të njëjtat masa ndëshkuese ishin kërkuar më herët edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila i akuzoi ata për organizimin dhe financimin e atentatit.

Sipas hetimeve, zbardhja e plotë e ngjarjes u bë e mundur përmes komunikimeve të siguruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC, i përdorur nga persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Atentati ndodhi më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, në autostradën Tiranë-Durrës. Në automjet ndodheshin ish-prokurori Arjan Ndoja, Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, si dhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ish-efektiv policie.

Si pasojë e sulmit me armë zjarri, Andi Maloku humbi jetën, ndërsa Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur. Hetimet e SPAK çuan në identifikimin e personave që dyshohet se organizuan dhe financuan atentatin, duke përfunduar me dënimet e dhëna nga GJKKO.

Postime të lidhura