zoom

Aktualitet

Arratisja e Altin Ndocit, lirohet nga qelia ish-drejtori i burgut Indrit Cerloj

Arratisja e Altin Ndocit, lirohet nga qelia ish-drejtori i burgut Indrit Cerloj

Gjykata e Durrësit ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për ish-drejtorin e IEVP-së, Indrit Cërloj, i dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit. Vendimi është marrë nga gjyqtari Xhevdet Lika, i cili ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës “arrest në burg” me “arrest shtëpie”.

Ish-drejtori i burgut të Durrësit u arrestua më 16 janar të këtij viti, pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci më 13 janar nga spitali i Durrësit, ku kishte shkuar për të kryer disa vizita mjekësore.

Ngjarja ndodhi në mesditë, kur Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, kërkoi të shkonte në tualet dhe shfrytëzoi momentin për t’u arratisur. Ai goditi dy efektivë dhe më pas u largua me vrap nga kati i tretë i spitalit drejt një automjeti tip “Audi” që e priste në parkim.

Pamjet filmike treguan se ai zbriti nga ambulanca pa pranga dhe u shoqërua drejt godinës së spitalit pa masa sigurie fizike, në kundërshtim me rregulloren për shkak të rrezikshmërisë së tij. Më pas, ai u largua me vrap duke iu shmangur rojeve dhe u zhduk pas një ndërtese, ku e priste automjeti me të cilin u arratis.

Altin Ndoci u bë i njohur për publikun pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili e implikoi në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, si dhe në ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë më 2 mars 2020. Sipas policisë, ai ka lidhje me grupe kriminale në zonën e Pukës dhe me persona të përfshirë në krime të rënda, si Arben Muço, ndërsa dyshohet edhe për përfshirje në ngjarje të tjera të dhunshme në Durrës dhe Tiranë, për të cilat janë siguruar prova gjatë hetimeve.

Postime të lidhura