Aplikacion
Arratisja e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit po hedh dritë mbi një skemë të dyshuar abuzimi brenda sistemit penitenciar.
Sipas dosjes hetimore të publikuar nga Top Channel, rezulton se Ndoci është shoqëruar në spital pesë herë vetëm gjatë periudhës tetor 2025 – janar 2026, një frekuencë e pazakontë krahasuar me vitet e mëparshme.
Nga verifikimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, dyshohet se këto dalje të shpeshta nuk kanë qenë të justifikuara nga ana mjekësore, por janë përdorur për t’i krijuar favore të posaçme të paraburgosurit, kryesisht takime jashtë protokollit, në këmbim të ryshfeteve ndaj drejtuesve dhe personelit të institucionit.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu një ndërveprim të dyshimtë mes kryeinfermierit Aulon Çuku dhe drejtorit të Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Nga pamjet e kamerave të sigurisë është konstatuar një marrëdhënie e afërt dhe jo e zakonshme mes tyre, ndërsa drejtuesi i institucionit akuzohet për neglizhencë të theksuar dhe dyshime për shpërdorim detyre.
Sipas dosjes, gjatë viteve 2020–2024, Altin Ndoci është shoqëruar vetëm katër herë për vizita mjekësore. Ndërsa në një periudhë shumë më të shkurtër, nga 8 tetori 2025 deri më 13 janar 2026, ai është dërguar pesë herë në spital, nën drejtimin e tre drejtorëve të ndryshëm, por në shumicën e rasteve me firmën e Indrit Cerloj.
Një tjetër element që forcon dyshimet është fakti se këto dalje nga institucioni i vuajtjes së dënimit nuk janë pasqyruar në asnjë komunikatë zyrtare të aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe nuk është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, siç parashikon procedura.
Në dosje theksohet se për miratimin e shoqërimeve drejt spitaleve rajonale kërkohet dakordësia e disa hallkave, përfshirë personelin shëndetësor, policinë e burgjeve dhe drejtuesin e institucionit, çka ngre dyshime për një bashkëpunim më të gjerë institucional./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit