Aplikacion
Ka nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku në rend dite është procedura për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga detyra.
Në sallë mungojnë anëtarët Gaz Paja, Aldo Merkoci dhe Joleza Koka, të cilët për pasojë nuk do të marrin pjesë në votim.
Ndërkohë, edhe pse ka dakordësi mes palëve politike për shkarkimin e Veliajt, sërish mbledhja po shoqërohet me debate mes këshilltarëve socialistë dhe atyre të opozitës.
Ilda Zhulali nga krahu i PD kërkoi prezencën fizike të Veliajt në sallë, për t’u përballur me akuzat.
“Erion Veliaj është gjallë, duhet të ishte këtu. Sot po provon shijen e gjellës që ka gatuar vetë gjithë këto vite. Ai duhej të shkarkohej që në vitin 2023″, tha ajo.
Ndëraa Endri Shabani tha se largimi i Veliajt nga detyra duhet të ishte një kapitull i mbyllur prej muajsh tashmë.
“Veliaj duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në dhjetor, në shkurt kur u fut në burg, apo në korrik pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ai ka mbajtur qytetin peng me lejen tuaj”, u shpreh ai.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Dorjan Teliti.
“Ky është një akt historik. Prej katër muajsh kemi kërkuar që kjo ditë të ndodhte. Kryetari, tashmë në largim, mori kompetenca financiare që i takonin këshillit, ndërkohë që jetesa e qytetarëve është përkeqësuar”, tha Teliti.
Këshilli Bashkiak i Tiranës u vu në lëvizje për shkarkimin e Erion Veliajt pas kërkesës publike të kryeministrit Edi Rama. Si kandidate për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e parakohshme, PS do të ketë Ogerta Manastirliun./ Zoom.al