Aplikacion
Pasi u vendos që Këshilli Bashkiak i Tiranës të mblidhej këtë të martë për ta shkarkuar nga detyra, Erion Veliaj reagoi nga qelia duke kërkuar që të jetë prezent edhe ai në mbledhje.
“Kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në Këshillin Bashkiak. Mungesa nuk është pasojë e vullnetit tim, por e një mase sigurie. Sistemi gjyqësor ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Shkaktar nuk është as kryetari i PS, as PS, as ju”, thuhej në kërkesën e Veliajt, që u shpërnda për mediat.
Por SPAK reagoi këtë të hënë duke sqaruar se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për leje nga Erion Veliaj apo avokatët e tij mbrojtës, që të jetë i pranishëm në mbledhjen e nesërme.
“Në përgjigje të kërkesës suaj të mbërritur më datë 22.9.2025, ju informojmë se deri tani, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është paraqitur asnjë kërkesë e tillë”, thuhet në reagimin e SPAK.
Ndërkohë më herët, Këshilli Bashkiak i ofroi mundësinë Veliajt që pretendimet që ka, t’i paraqesë me shkrim, nëse nuk merr dot pjesë fizikisht./ Zoom.al