Aplikacion
Erion Veliaj, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak, lidhur me procedurën e parashikuar për shkarkimin e tij që pritet të zhvillohet nesër.
Në dokumentin e firmosur prej tij, Veliaj thekson se nuk është njoftuar zyrtarisht nga sekretari i Këshillit për zhvillimin e mbledhjes së datës 23 shtator, duke u informuar vetëm nga burime mediatike.
“Edhe një ditë para mbledhjes, nuk kam marrë njoftim zyrtar, nuk është dërguar rendi i ditës, nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi, dhe nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur”, thekson Veliaj në përgjigjen e tij.
Ai shton se sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka tagër ligjor për të marrë vendime në emër të këshillit, duke nënvizuar se funksioni i tij është thjesht administrativ.
Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim, nën një masë sigurie që, sipas tij, kufizon mundësinë për të marrë pjesë dhe për të ndjekur në mënyrë efektive procesin që mund të prekë mandatin e tij si kryebashkiak i zgjedhur me votë qytetare./ Zoom.al