zoom

In Zoom

Zyrtare/ “Emaar Group” dhe Emiratet tërhiqen nga Porti i Durrësit. Qeveria detyrohet ta pranojë

Top Channel, 14 dhjetor 2020: Një intervistë e Mohamed Alabbar me gazetarin Muhamet Veliu flet për përfshirjen e kompanisë së njohur botërore, “Emaar Group” dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe në projektin 2 miliardë dollarësh për ndërtimin e Portit Turistik të Durrësit (lexo KETU lajmin).

Lajmi i Top Channel: “Pak përpara largimit nga Tirana Muhammed El Alabbar në një intervistë për gazetarin e  Top Channel Muhamed Veliu, fillimisht i përgjigjet pyetjes se përse Emiratet Arabe krahas ndërtimit të lagjes së re në Durrës,  përfshihet në këtë projekt në portin  e këtij qyteti.

Përgjigjja e Mohamed Alabbar: Unë besoj se si rezultat i marrëveshjes së investimeve me qeverisë së Emirateve dhe asaj shqiptare tashmë është ngritur një platformë e mirë për të bashkëpunuar  mes kompanive, qeverisë tuaj dhe Emirateve në të punuarit bashkërisht. E kështu Durrësi duke i parë historinë e kulturën, trashëgiminë që ekziston, është vendi i duhur për të gjithë ne në këtë bashkëpunim.

Sot, 21 dhjetor 2021: Pak orë pasi Zoom.al publikoi lajmin se “Emaar Group” dhe qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe janë tërhequr nga ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u detyrua ta pranojë zyrtarisht se as kompania e njohur dhe as Emiratet nuk janë pjesë e projektit (lexo lajmin më poshtë).

Skandali i Portit të Durrësit! Në vend të tij, vetëm disa pallate pa garë nga një individ i huaj

Në vend të “Emaar Group”, një kompani 15.5 milidarë dollarë të ardhura, në portin e Durrësit, Mohamed Alabbar ka sjellë një tjetër kompani të tij, të regjistruar në ishujt Cayman, si kompani offshore.

Kjo është përgjigjja që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i dha Zoom.al, duke pranuar  më në fund atë që redaksia jonë e disa media të tjera kishin muaj që po e thonin, bazuar në disa të dhëna zyrtare e burime të besueshme.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Zoom.al: Ashtu siç edhe mund të jeni në dijeni nga eventi i realizuar me datë 16 Prill 2021 në Portin e Durrësit ku u prezantua publikisht Projekti Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina)” nga Z. Mohamed Alabbar, qeveria shqiptare në zbatim të Marrëveshjes Mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, ratifikuar në Shqipëri përmes Ligjit 145/2020, si dhe në përputhje me Planin Kombëtar Sektoral për Transportin Detar dhe Infrastrukturën Portuale ka ndërmarrë një sërë veprimesh në përgjigje të interesit të shprehur pranë Agjencisë Shqiptarë të Investimeve Strategjike, nga shoqëria Symphony Real Estate Development sh.p.k”, për zhvillimin e Portit të Durrësit.

Shoqëria Symphony Real Estate Development sh.p.k e identifikuar me NUIS M11726006H zotërohet plotësisht nga subjekti Symphony Invest Limited”, që në vetvete është pjesë e grupit të shoqërive të Z. Mohamed Alabbar, i cili prej vitesh është drejtues në kompaninë EMAAR. Subjekti propozues për ndërimin e këtij projekti është tërësisht privat dhe qeveria e UAE nuk ka aksione. Pavarësisht sa më lart, risjellim në vëmendje se zbatim të Marrëveshjes Mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, ratifikuar në Shqipëri përmes Ligjit 145/2020, Zhvillimi i Portit të Durrësit është një nga tre projektet e dakordësuar nominalisht, për të cilat qeveritë janë zotuar që do të lehtësojnë dhe ndihmojnë subjektet e interesuar për investime të ndërsjellta.

Siç e shihni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk e përmend më në asnjë rresht “Emaar Group”, duke pranuar, e zezë mbi të bardhë, se kjo kompani nuk është pjesë e projektit. Por nuk kuptohet nëse qeveria ka gënjyer prej fillimit apo gjërat kanë ndrysuhar rrugës.

Në korrik të vitit 2021, kryeministri Edi Rama publikoi maketin e Portit të Durrësit, duke thënë se ai ishte hartuar nga “Emaar Group”.  

Edi Rama: “Mirëmëngjes dhe me maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, që tani ndodhet në Portin e Durrësit, aty ku së shpejti do të nisë të ndërtohet një prej porteve më të mëdha e më të bukura turistike të Mesdheut, ju uroj një ditë të mbarë”.

Në muajin nëntor 2020, qeveria shqiptare dakordësoi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit.

Tani Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranon se projekti do të ndërtohet si një “Joint Venture” mes kompanisë offshore të Alabbar dhe qeverisë shqiptare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Zoom.al: Në datën 02.12.2021, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) ka vendosur të miratojë StatusinInvestim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina)”, me subjekt aplikues Symphony Real Estate Development” sh.p.k, si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin, të kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e një marrëveshje mbi formën e bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.

 Në përputhje me vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), subjekti që do të zhvillojë projektin do të jetë një shoqëri e tipit Joint Venture, anëtarët e së cilës do të jenë shoqëria Symphony Real Estate Development sh.p.k e Z. Mohamed Alabbar  si dhe shteti shqiptar jenë në formën e bashkëpjesëmarrjes shtetërore në investim.

Çfarë ka ndryshuar nga shpallja e projektit si investim i “Emaar Group”? A kanë qenë ndonjëherë kjo kompani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pjesë e projektit dhe janë tërhequr, apo qeveria shqiptare ka gënjyer prej fillimit?

Zoom.al mëson se as “Emaar Group” dhe as Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e këtij projekti dhe se gjithçka është ideuar dhe marrë përsipër nga Mohamad Alabbar si individ, nëpërmjet një prej kompanive që ai ka krijuar dhe jo nëpërmjet gjigandit botëror “Emaar Group”.

Redaksia jonë e pyeti disa herë kompaninë “Emaar Group” lidhur me këtë çështje, por ajo nuk pranoi të jepte përgjigjje.

Ministria e drejtuar nga Belinda Balluku pranon se ëndrra se “Emaar Group” mund të vinte në Shqipëri është shuar dhe bashkë me të edhe investimi prej 2 miliardë eurosh. Qeveria shqiptare nuk e përmend më shumën. Siç pohon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë investimi do të jetë dypalësh, mes saj dhe kompanisë offshore të Alabbar. Vlera që do të investohet dhe sa duhet të investojë secila palë mbeten për t’u përcaktuar.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Zoom.al: Të gjithë termat dhe kushtet e bashkëpunimit, përfitimet, mjetet e sigurisë juridike, pasojat për moszhvillimin e projektit si dhe garancitë e ndërsjella, do të pasqyrohen në një Marrëveshjen që do të nënshkruhet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë Symphony Real Estate Development sh.p.k. ne vijim. Duke qenë se siç thamë me lart shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrës në investim, ai do të përfitojë drejtpërdrejt nga zhvillimi dhe ndërtimi i këtij projekti, në përputhje me pjesëmarrjen e tij në Joint Venture.

Tani është e qartë. Projekti që iu shit me të madhe shqiptarëve si investim 2 miliadë dollarësh i gjigandit “Emaar” që ka ndërtuar kullën më të madhe në botë, përfundoi si përrallat arabe të “1 mijë e 1 netëve”.

Dhe po kështu, po bëhet çdo ditë e më e qartë, se nga projekti 3D i qeverisë, porti do të përfundojë vetëm me disa pallate që një individ i huaj do të ndërtojë në qindra hektarë tokë shtetërore në portin e Durrësit, të marrë falas.

Zoom.al e kishte paralajmëruar këtë që në muajin mars të këtij viti. Qeveria thotë se vendimin për miratimin e statusit të investitorit strategjik për kompaninë offshore të Alabbar, që ka hapur përfaqësi edhe në Shqipëri për të ndërtuar portin, e ka marrë në fillim të dhjetorit 2021. Por çështja e datave të vendimeve ngjan me një një tjetër përrallë e gjatë arabe, që shqiptarët kanë plot 2 dimra që e dëgjojnë. /Zoom.al