zoom

Aktualitet

Zbardhet pasuria e Mirlinda Karçanajt: 4 shtëpi dhe një ullishte. Rama tha se jeton me qira

Zbardhet pasuria e Mirlinda Karçanajt: 4 shtëpi dhe një ullishte. Rama tha se jeton me qira

TIRANË – Kryeministri Edi Rama u përpoq ta nxirrte si një “viktimë” që jeton me qira ish-drejtoreshën e AKSHI, por e vërteta është se Mirlinda Karçanaj nuk disponon vetëm 1 shtëpi. 

Një verifikim i detajuar i deklaratave të saj të pasurisë ndër vite rrëzon pretendimet e kryeministrit dhe zbulon një portofol të pasur pronash të paluajtshme në zotërim të Karçanajt dhe familjes së saj.

Karçanaj, e cila aktualisht ndodhet në arrest shtëpie nën dyshimet për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera, zotëron jo një, por katër apartamente dhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ullishte.

Perandoria e pronave

Analiza e deklaratave të saj pasurore zbulon një rritje graduale të pasurisë së paluajtshme:

• Apartamenti i parë: Që në vitin 2007, Karçanaj zotëronte 25% të një apartamenti 3+1 (94 m²) në Tiranë. Në vitin 2013, kur mori detyrën e drejtoreshës së AKSHI-t, ajo u bë bashkëpronare me 50%. Në vitin 2016, kjo pronë u rivlerësua në rreth 135 mijë euro. Ndërsa në vitin 2022, ajo u bë pronare e vetme e këtij apartamenti, përmes trashëgimisë.

• Apartamenti i dytë: Në vitin 2016, Karçanaj dhe bashkëshorti i saj, Artan Babaramo, blenë një apartament tjetër 136 m² në Tiranë për 65 mijë euro, ku secili zotëronte 50%. Vetëm një vit më vonë, kjo pronë u rivlerësua në rreth 240 mijë euro.

• Apartamenti i tretë: Po në vitin 2016, çifti blen një apartament 60 m² në Qerret për 17,340 euro.

• Apartamenti i katërt: Në vitin 2022, Karçanaj deklaroi se ishte bërë pronare e plotë e një tjetër apartamenti 73.5 m², sërish përmes trashëgimisë.

• Ullishtja: Përveç apartamenteve, Karçanaj zotëron edhe një ullishte me sipërfaqe 1,500 m², të cilën po ashtu e ka fituar përmes trashëgimisë në vitin 2022.

Kjo pasuri e konsiderueshme vjen përveç kursimeve të deklaruara ndër vite në euro dhe lekë, duke treguar një gjendje financiare shumë më të qëndrueshme se ajo që u përpoq të paraqiste kryeministri Rama.

Kontrasti me deklaratat e Ramës

Deklaratat e Edi Ramës, i cili u shpreh se Karçanaj jeton në një shtëpi me qira dhe ka jetuar deri vonë në shtëpinë e prindërve, janë në kundërshtim të plotë me faktet e dala nga verifikimi i deklaratave të saj të pasurisë. Ky kontrast ngre pikëpyetje rreth transparencës dhe saktësisë së informacionit që kryeministri i paraqet publikut, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion.

Dosja e rëndë e SPAK dhe roli i AKSHI-t

AKSHI është një institucion kyç në menaxhimin e sistemeve digjitale të qeverisjes, duke përfshirë edhe e-Albania, një platformë që shërben si urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve për qindra shërbime. 

Karçanaj akuzohet për korrupsion disa miliona eurosh dhe grup kriminal me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. 

Në videot e regjistruara nga Agasi, një njeri që sipas zv.kryeministrit Arben Ahmetaj mban lidhjet mes Ramës dhe grupeve kriminale, Karçani shfaqet disa herë në zyrën e Agasit. 

Opozita thotë se ajo lëvizte edhe me një makinë luksoze Porsche, por Zoom.al nuk ka mundur të verifikojë ende këtë pretendim. /Zoom.al

Postime të lidhura