Aplikacion
Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për tre të pandehurit e akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, duke argumentuar se provat e administruara gjatë gjykimit provojnë qartë fajësinë e tyre.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e çështjes, Javorka Perlinqeviq, deklaroi se nga tërësia e provave rezulton përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë autorë të veprave penale për të cilat akuzohen.
Sipas organit të akuzës, gjatë procesit gjyqësor nuk është konstatuar asnjë rrethanë lehtësuese për të pandehurit. Përkundrazi, është theksuar rëndësia e veçantë e krimit, mënyra e ekzekutimit dhe sjellja e tyre pas ngjarjes, përfshirë përpjekjet për të manipuluar dhe ndikuar opinionin publik.
Në përfundim, Prokuroria i kërkoi gjykatës që të shpallë fajtorë të akuzuarit dhe, duke marrë në konsideratë natyrën e rëndë të krimit dhe mungesën e rrethanave lehtësuese, të japë ndaj tyre dënimin maksimal për vrasje të rëndë.
Gjatë paraqitjes së saj, prokurorja e cilësoi ngjarjen si një nga krimet më të rënda, të kryer me egërsi dhe dinakëri. Sipas saj, vrasja e ndodhur më 29 nëntor 2023 është kryer në prani të dy fëmijëve të mitur të viktimës, atëherë vetëm 4 dhe 6 vjeç, çka e rëndon më tej peshën e krimit dhe pasojat e tij.
Po ashtu, në gjykim janë paraqitur edhe dëshmi mbi gjendjen e fëmijëve pas ngjarjes. Sipas dëshmisë së vëllait të viktimës, Leonard Ademaj, ata kanë përjetuar traumë të thellë dhe kanë refuzuar kontaktin me babanë e tyre, duke shmangur edhe komunikimet telefonike të mundësuara nga autoritetet përkatëse në Suedi./ Zoom.al