zoom

Aktualitet

Vjosa del nga shtrati, urdhërohet evakuimi i banorëve në Novoselë

Vjosa del nga shtrati, urdhërohet evakuimi i banorëve në Novoselë

Moti i keq ka përfshirë sërish vendin edhe këtë të enjte, me reshje të dendura shiu gjatë natës, duke sjellë probleme në disa zona të Shqipërisë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera gjendja mbetet nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.

Lumi Vjosa ka arritur nivelin 9 metra në urën e Mifolit, në Novoselë, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën dhe duke krijuar rrezik serioz për banorët dhe tokat bujqësore përreth. Prurje të larta janë regjistruar edhe në Memaliaj, ku niveli i ujit ka shkuar në 7.5 metra.

Si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati, Emergjencat Civile kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Novoselë. Autoritetet bëjnë me dije se rritja e nivelit të ujit përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, ndërsa në procesin e evakuimit prioritet kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Të evakuuarit do të sistemohen në ambiente të strehimit të përkohshëm.

Nga reshjet e dendura janë përmbytur rreth 100 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 14 banesa janë përfshirë nga uji. Përmbytje raportohen edhe në tokat bujqësore të zonave Bishan dhe Fitore.

Ndërkohë, në Shkodër, lumi Buna ka shënuar rritje të nivelit të ujit, ndërsa në lumin Drin niveli ka rënë si pasojë e uljes së shkarkimeve nga hidrocentralet. Zona e Obotit vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla, megjithatë pritet përmirësim i situatës, pasi në zonat malore kanë nisur reshjet e dëborës.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në qarkun e Lezhës, ku reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme. Sipas stacionit meteorologjik të Gjadrit, në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 29 mm reshje shiu.

Postime të lidhura