zoom

Aktualitet

Vjosa në pikë kritike, rrezik për Novoselën. Përmbytje në Fier e Vlorë, dëborë në Llogora

Vjosa në pikë kritike, rrezik për Novoselën. Përmbytje në Fier e Vlorë, dëborë në Llogora

Lumi Vjosa ka arritur sot nivelin kritik, me kuotën e ujit rreth 9.2 metra mbi nivelin e detit, duke përbërë një rrezikshmëri të lartë për banorët e Njësisë Administrative Novoselë. Situata paraqitet tejet shqetësuese, pasi në rast të daljes së lumit nga shtrati, ujërat mund të përhapen drejt zonave përreth dhe të afrohen deri pranë qytetit të Vlorës, duke shkaktuar pasoja të rënda.

Prurjet e shumta të ujit reflektohen edhe në Memaliaj, ku niveli i lumit ka arritur në 7.5 metra mbi nivelin e detit. Si pasojë, lumi ka mbuluar njësinë matëse hidrometrike, ndërsa rreth 100 hektarë tokë janë përmbytur dhe 14 banesa janë prekur nga uji.

Ndikimi i prurjeve të Vjosës është ndjerë edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit, ku raportohet prezencë uji në ambientet e stacionit.

Kryetari i fshatit Novoselë, Liu Moçka, ka deklaruar se një situatë e tillë nuk është përjetuar më parë, duke theksuar se prurjet e mëdha të Vjosës përbëjnë një rrezik evident për banorët, edhe pse ata janë njoftuar paraprakisht për situatën.

Ndërkohë, në jug të vendit, kushtet atmosferike kanë sjellë edhe reshjet e para të dëborës. Qafa e Llogorasë është mbuluar nga dëbora e parë e këtij sezoni, e cila ka nisur rreth orës 07:30 të mëngjesit, duke krijuar një shtresë deri në 10 cm. Aktualisht, rruga është e mbuluar nga dëbora, por situata paraqitet e qetë dhe pritet që borëpastrueset të nisin punën për pastrimin dhe hapjen e aksit rrugor./ Zoom.al

Postime të lidhura