Aplikacion
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me një masë më të butë.
Në përfundim të seancës, avokati i tij, Sokrat Gjermeni, deklaroi se Veliaj ka qenë i pranishëm dhe ka folur në përputhje të plotë me kërkesat ligjore të paraqitura nga mbrojtja. Sipas tij, SPAK ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke kërkuar vijimin e masës së arrestit në burg, me argumentin se ekziston rreziku i manipulimit të provave, një pretendim që mbrojtja e ka cilësuar si të pabazuar.
“Kemi kërkuar të caktohet një masë më e butë, jo arrest me burg, të cilën gjykata e ka rrëzuar. Veliaj ishte i pranishëm dhe ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë. Nuk ka dalë përtej kërkesave ligjore. Por gjykata rrëzoi kërkesat. Prokuroria mbajti qëndrimin që masa duhet të vazhdojë. Pavarësisht se kanë mbaruar hetimet, provat mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e Prokurorisë, por që ne nuk jemi dakord me këtë logjikë”, tha avokati i Veliajt për seancën e sotme, Sokrat Gjermeni.
Ai bëri të ditur gjithashtu se mbrojtja kishte ofruar disa alternativa për zëvendësimin e masës së sigurisë, përfshirë garanci pasurore, detyrim paraqitjeje pesë herë në javë dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, por edhe këto kërkesa janë rrëzuar nga gjykata.
“U kërkua garancia pasurore, u kërkuan disa masa, detyrim paraqitje 5 herë në javë, garancia pasurore, ndalimi jashtë shteti. Pra të gjitha masat që janë të përshtatshme për të mbarëvajtur hetimet, megjithëse këto rreziqe janë iluzionare. Nuk e ofruam me shumë të përcaktuar, e lamë në vlerësim të gjykatës, por duke qenë se u rrëzua kërkesa, nuk u shqyrtua ky opsion”, u shpreh avokati.