zoom

Aktualitet

Veliaj kallëzon për falsifikim dokumentesh gjyqësore: Firma nuk është e imja

Veliaj kallëzon për falsifikim dokumentesh gjyqësore: Firma nuk është e imja

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, duke kërkuar nisjen e hetimeve për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve gjyqësore.

Sipas kallëzimit, bëhet fjalë për një akt njoftimi të përfshirë në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku figuron një nënshkrim në emër të Veliajt, sikur ai të ishte njohur personalisht me një vendim gjyqësor. Veliaj pretendon se firma e vendosur në dokument nuk është e tij dhe se akti nuk pasqyron një njoftim real.

Në kallëzim theksohet se vendimi i Apelit nuk është dorëzuar asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, ku ai ndodhet i paraburgosur. Ky fakt, sipas Veliajt, është vërtetuar edhe me shkresë zyrtare nga drejtoria e këtij institucioni.

Sipas tij, mungesa e një njoftimi të vlefshëm dhe prania e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë elementë të qartë të falsifikimit, të përdorur për të krijuar artificialisht fillimin e afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Veliaj argumenton se një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt të drejtën kushtetuese për ankim, parimin e sigurisë juridike dhe standardet e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës për t’u ankuar përmes përdorimit të një dokumenti zyrtar të pavërtetë.

Në kallëzim kërkohet regjistrimi i procedimit penal, kryerja e ekspertizës grafologjike të nënshkrimit, si dhe hetimi i të gjithë zinxhirit të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur dokumentin në fjalë. Po ashtu, kërkohet verifikimi i çdo shkeljeje tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë edhe shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit penal i është përcjellë edhe Gjykatës së Lartë, me pretendimin se afatet ligjore për paraqitjen e rekursit nuk kanë nisur asnjëherë, për shkak të mungesës së një njoftimi të rregullt dhe të vlefshëm ligjërisht./ Zoom.al

Postime të lidhura