Aplikacion
Nga Zoom.al
Në Sheshin Skënderbej, ku sot Edi Rama hapi zyrtarisht fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, fjalimet për “pasaporta europiane”, “Shqipërinë që fiton” dhe integrimin në BE, bashkë me skenografinë me yjet e Europës, po tentojnë të mbulojnë skandalet e korrupsionit që rëndojnë mbi këtë qeveri, ne mandatin e tretë të saj.
Në sfondin e yjeve dhe zhurmën e tupanave mungonin disa nga figurat qëndrore të PS-së: Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i Tiranës, tani i arrestuar për aferën korrupsion; ish-zëvendëskryeministri Arben Hmetaj,në arrati prej muajsh, pasi SPAK firmosi urdhrin e arrestit; ish- ministri Ilir Beqaj në burg për vjedhje të fondeve të BE-së. Lista zgjerohet me ish-ministra, deputetë, ish-kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë që janë nën hetim ose janë dënuar për afera korruptive dhe abuzimi me fondet publike.
Në vend të tyre, Ulsi Manja, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu dhe Zeqineja e Fierit.
Në 12 vite pushtet, Edi Rama ka premtuar BE dhe standarde perëndimore. Por bilanci politik i Partisë Socialiste sot ngjan me një aktakuzë: dhjetëra hetime të hapura, milionat e inceneratorëve të zhdukur, koncesione të dhëna klientëve dhe tendera pa garë.
I veshur sportiv dhe atlete të bëra me porosi, Edi Rama kërkon të shfaqet si lideri që kërkon një mandat të katërt të përmes “figurinave të reja”. Por publiku nuk mund të harrojë vjedhjet galopante 12-vjeçare të po atyre njerëzve që i kishte në krah çdo fushatë e me të cilët premtonte Europën, por që sot i ka në burg.
Fushata ka nisur. Por me çdo miting, ngrihet edhe një pikëpyetje e madhe: A do vjedhin edhe figurat e reja e ato të vjetra që kanë ngelur njësoj si shokët e tyre në burg e arrati?
Beti i Ramës është i madh. Por kësaj here ai ngjan më shumë me një bllof.