zoom

Aktualitet

U pezullua nga detyra, Kushtetuesja merr sot vendimin për Belinda Ballukun! SPAK kërkon arrestimin e saj

U pezullua nga detyra, Kushtetuesja merr sot vendimin për Belinda Ballukun! SPAK kërkon arrestimin e saj

Në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet sot seanca gjyqësore lidhur me masën e sigurisë “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe mbahet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton vendimin e GJKKO-së, duke pretenduar se pezullimi i Ballukut ka shkelur kompetencat kushtetuese të kryeministrit. Rama ka deklaruar më herët se legjitimimi i një praktike të tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke shtrirë kompetencat e pushtetit gjyqësor përtej kufijve të ndarjes së pushteteve dhe duke rrezikuar stabilitetin institucional. Sipas tij, një situatë e tillë do të hapte rrugë për presione politike ndaj qeverisë dhe manipulim të pushtetit ekzekutiv përmes proceseve penale, duke e cilësuar këtë si një rast të panjohur në Europë.

Kreu i qeverisë e ka justifikuar ankimin në Gjykatën Kushtetuese si një betejë për mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe të kompetencave kryeministrore. Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme kishte vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Seanca në Kushtetuese zhvillohet në një moment kur SPAK ka depozituar në Kuvend edhe kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut. Kjo kërkesë u paraqit menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e saj në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është parashikuar të mbahet më 28 janar.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet se, në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ka manipuluar dy tendera me vlerë rreth 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa ndaj saj rëndojnë edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera në projektin e Unazës së Madhe./Zoom.al

Postime të lidhura