Aplikacion
Një konflikt i ashpër mes dy ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë dimension institucional, pas pretendimeve të kompanisë MABCO Constructions SA se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, ka ndërhyrë në mënyrë të njëanshme në administrimin e projektit, duke favorizuar ortakun minoritar në dëm të investitorit kryesor.
MABCO, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të shoqërisë “Vlora International Airport” dhe ka investuar rreth 80 milionë euro në ndërtimin e aeroportit, pretendon se është përjashtuar në mënyrë arbitrare nga një mbledhje zyrtare e thirrur nga vetë Ministria e Infrastrukturës në kantierin e projektit.
Letra zyrtare drejtuar Ballukut dhe Ramës
Në një letër zyrtare drejtuar ministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama, MABCO denoncon se më 12 janar 2026 përfaqësuesit e saj janë penguar fizikisht të marrin pjesë në një takim ku ishin të pranishëm Autoriteti i Aviacionit Civil, Albcontrol dhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas dokumentit, përfaqësuesi i MABCO-s, z. Fadil Neziri, është larguar nga ambientet e mbledhjes, pavarësisht se kishte prokurë të rregullt për përfaqësimin e aksionerit mazhoritar. Kompania pretendon se ky veprim është kryer me miratimin e heshtur dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.
Në të njëjtin takim, sipas MABCO-s, janë lejuar të marrin pjesë përfaqësues të ortaku minoritar Valon Ademi, i cili zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve të shoqërisë koncesionare.
Letra përshkruan gjithashtu një episod tjetër, ku konsulenti për certifikimin e aeroportit, z. Afrim Aziri, është ndaluar të hyjë në mbledhje me arsyetimin se konsiderohej “njeri i MABCO-s”. Sipas kompanisë, përjashtimi i tij nuk lidhej me mungesë kompetence apo mandati, por thjesht me lidhjen profesionale me aksionerin mazhoritar.
MABCO paralajmëron se një sjellje e tillë minon rëndë sigurinë juridike të investimeve strategjike në Shqipëri dhe krijon precedent të rrezikshëm për trajtimin e investitorëve të huaj.
Në sfondin e këtij konflikti, janë ngritur edhe pretendime për lidhje familjare dhe biznesi mes ortakut minoritar Valon Ademi dhe persona të afërt me ministren Balluku. Këto lidhje, sipas kritikëve, ngrenë dyshime për konflikt interesi dhe përfshirje politike në një mosmarrëveshje që duhet të zgjidhet ekskluzivisht në rrugë ligjore.
Paralajmërim për ndjekje ligjore
Në përfundim të letrës, MABCO e cilëson situatën si një test serioz për shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe njofton se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, administrative dhe penale, brenda dhe jashtë vendit, për të mbrojtur investimin e saj dhe për të denoncuar atë që e quan një kapje institucionale të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Sipas kompanisë, çështja tashmë nuk ka të bëjë vetëm me një konflikt mes ortakësh, por me mënyrën se si shteti shqiptar sillet ndaj investimeve strategjike dhe respektimit të ligjit.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit