Aplikacion
Në marrëdhëniet diplomatike gjestet tregojnë më shumë se fjalët. Dy episode të ndara në kohë, por të ngjashme për nga simbolika, e tregojnë këtë më së miri në realitetin shqiptar.
Në vitin 2021, gjatë një aktiviteti publik, ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim u largua në mënyrë demonstrative nga një tryezë e përbashkët në momentin që ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj mori fjalën.
Beqaj ishte nën hetim nga SPAK për disa koncesione në shëndetësi.
Gjestin e ambasadores Kim, aktorë politikë dhe diplomatikë e interpretuan atëherë si një sinjal distancimi politik nga një zyrtar i konsideruar problematik.
Nuk kaloi shumë kohë dhe SPAK ngriti ndaj tij akuza penale për shpërdorim të fondeve të BE nëpërmjet programit SASPAK dhe Beqaj përfundoi në burg.
5 vjet më vonë historia përsëritet ndryshe.
Sot, gjatë një aktiviteti për prezantimin e një projekti për ndërtimin e një parku eolik në veri të vendit, Tropojë, ku investitore është një kompani amerikane, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn u ul përkrah Belinda Ballukut, zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energisë për të cilën SPAK i ka kërkuar parlamentit imunitetin për ta arrestuar.
Kur Balluku mori fjalën, VanHorn qëndroi aty gjatë gjithë kohës dhe nuk tregoi në asnjë moment sinjale distancimi ndaj saj.
Ky episod ka nxitur spekulime në disa qarqe politike dhe mediatike se Shtetet e Bashkuara nuk qëndrojnë pas akuzave ndaj Ballukut, siç është folur jo pak herë këto javë në media online e banaqet politike të mbrëmjes.
Për shumëkënd është krijuar bindja se prokurorët e SPAK i ngritën akuzat penale ndaj Ballukut dhe kërkuan arrestimin e saj vetëm me nxitjen dhe mbështetjen e amerikanëve. Nëse ky version do të qe i vërtetë, a do kishte pranuar numri 1 i diplomacisë amerikane në vendin tonë të ulej përkrah dikujt që e konsideron përgjegjëse për disa afera korruptive që sipas SPAK arrijnë në disa dhjetëra miliona euro?
Sipas praktikës diplomatike amerikane, pozicionimi publik dhe kontaktet zyrtare konsiderohen tregues të rëndësishëm të marrëdhënieve me zyrtarë të caktuar.
Në raste të mëparshme, si ai me ish-ministrin Ilir Beqaj, diplomacia amerikane ka demonstruar hapur distancimin e saj nga figura politike që ka konsideruar problematike.
Megjithatë, prania e të ngarkuarës me punë të SHBA përkrah Ballukut nuk përbën mbështetje politike apo garanci penale ndaj saj. Por njëkohësisht nuk mbështet tezën se pas akuzave ndaj saj qëndrojnë amerikanët në Shqipëri apo Uashington.
Kjo nuk do të thotë as që Balluku është e pafajshme, por ngre dyshime logjike se çdo veprim i SPAK dhe GJKKO është pasojë vetëm e bindjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve specialë dhe jo rezultat i ndonjë kërkese apo ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari