zoom

Lajme

Kuvendi shqyrton kërkesën e SPAK për Ballukun më 28 janar

Kuvendi shqyrton kërkesën e SPAK për Ballukun më 28 janar

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila do të zhvillohet më 28 janar 2026, në orën 12:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Mbledhja do të ketë në fokus shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa e SPAK lidhet me dhënien e autorizimit nga Kuvendi për zëvendësimin e masës së sigurimit, në përputhje me procedurat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, duke marrë parasysh statusin e saj si deputete, ministre dhe zëvendëskryeministre.

Paralelisht, Peleshi ka caktuar edhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila do të mbahet më 19 janar 2026, në orën 11:00.

Në rendin e ditës parashikohet shqyrtimi dhe miratimi i projektprogramit dhe projektkalendarit të punimeve parlamentare, si dhe kalendari i ushtrimit të kontrollit parlamentar për sesionin e ri.

Po në të njëjtën datë, më 19 janar në orën 17:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për hapjen e Sesionit II të Legjislaturës së XI. Seanca do të ketë karakter procedurial dhe do të përfshijë miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme dhe njoftime zyrtare.

Gjithashtu, është parashikuar edhe mbledhja e Byrosë së Kuvendit më 20 janar 2026, ku do të trajtohen çështje me natyrë organizative dhe procedurale, përfshirë ankesa të deputetëve, ndryshime në administratën parlamentare dhe detajimin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2026./ Zoom.al

Postime të lidhura