zoom

Aktualitet

U ekzekutua në atentatin e Rinasit, gruaja e Muçi Shaljanit dhunohet nga kunati, kërkon t‘i marrë pronat e viktimës

U ekzekutua në atentatin e Rinasit, gruaja e Muçi Shaljanit dhunohet nga kunati, kërkon t‘i marrë pronat e viktimës

Vëllai i Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si “Sheqeri” dhe ish-agjent i AMP-së, i cili mbeti i vrarë në atentatin pranë Rinasit, është arrestuar për dhunë në familje.

Bëhet fjalë për Shemsi Shaljanin, për të cilin Gjykata e Tiranës ka caktuar më 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së vëllait të ndjerë.

Sipas burimeve, më 3 mars në polici është paraqitur e veja e Shaljanit, e cila ka pretenduar se pas vdekjes së bashkëshortit, familjarë të tij kanë ngritur pretendime për pronësinë e një objekti 4-katësh në rrugën “Spiro Deda”, si dhe për dy ambiente bar-kafe të administruara më herët prej tij.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se Denis Morina, vëllai nga ana e nënës i Shaljanit, i kishte marrë çelësin e objektit për shkak të pretendimeve mbi pronën. Fillimisht, gruaja nuk ka bërë kallëzim penal, por ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për t’i rikthyer çelësin, duke paraqitur dokumentacionin përkatës.

Pas ndërhyrjes së policisë, çelësi i është dorëzuar 40-vjeçares dhe palët janë orientuar t’i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e çështjes së pronësisë.

Një ditë më vonë, ajo është paraqitur sërish në komisariat, duke kallëzuar për dhunë kunatin e saj, Shemsi Shaljani. Sipas dëshmisë, ai i ka shkuar në banesë, ka goditur derën me grushte dhe i ka kërkuar të largohet nga prona bashkë me fëmijët, duke e kërcënuar me jetë.

Policia ka sekuestruar pamje filmike dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët, ndërsa është plotësuar edhe një urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje për gruan. Aktualisht, Shemsi Shaljani ndodhet në paraburgim për akuzën e dhunës në familje.

Ngjarja vjen në vijim të atentatit të ndodhur në nëntor 2025 pranë Rinasit, ku mbeti i vrarë në vend Gilmando Dani, ndërsa Muçi Shaljani ndërroi jetë më pas në spitalin e Traumës. Hetimet për këtë atentat vijojnë nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë, për punësimin e paligjshëm të Shaljanit si agjent, janë marrë të pandehur për “shpërdorim detyre” ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artjol Saliasi, si dhe drejtori i burimeve njerëzore, Gëzim Sala.

Postime të lidhura