zoom

Aktualitet

Pezullohet nga detyra kreu i IMT në Tiranë, Rigers Sheqeri, nën hetim nga Prokuroria

Pezullohet nga detyra kreu i IMT në Tiranë, Rigers Sheqeri, nën hetim nga Prokuroria

Pa mbushur një vit, kreu i IMT-së në Tiranë Rigers Sheqeri është pezulluar nga detyra .

Ai u ishte emëruar në korrik të 2025 pasi kishte punuar më parë në IKMT ku ishte akuzuar hapur nga një qytetare për korrupsion. Sipas saj, ai i kishte kërkuar 10 mijë euro që të mos i shembte shtëpinë në zonën e Astirit.

Zoom.al mëson se shkarkimi ka ardhur si pasojë e dyshimeve për abuzime me lejet e ndërtimet. Vendimi për shkarkimin ështe marrë nga Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, që po kryen hetime ndaj tij.

Dyshohet se nën drejtimin e tij, inspektorët e IMT-së nuk kanë vepruar për të ndaluar ose denoncuar punime ndërtimore pa leje në zona të ndryshme të Tiranës.

Prokuroria ka konstatuar raste ku, edhe pse janë kryer inspektime në terren, shkeljet nuk janë pasqyruar në procesverbalet zyrtare, duke shmangur kështu gjobat apo urdhrat e prishjes.

Ekzistojnë dyshime se përmes mosveprimit, janë favorizuar persona apo subjekte të caktuara për të kryer ndërtime në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar interesat e shtetit dhe rregullsinë e territorit.

​Gjykata ka vendosur masën “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për të parandaluar ndërhyrjen në prova apo vijimin e mëtejshëm të shkeljeve gjatë kohës që Prokuroria vazhdon hetimet e plota.

Rigers Sheqeri rezulton i afërm i Muçi Shaljanit (Sheqerit), që u vra në Rinas së bashku me Gilmando Danin në nëntor të 2025. /Zoom.al

Postime të lidhura