Aplikacion
Prokuroria e Tiranës kalon për kompetencë në SPAK hetimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, ndodhur më 11 nëntor pranë aeroportit të Rinasit.
Pas më shumë se 2 muaj hetim, prokurorët e kryeqytetit kanë dalë në konkluzionin se krimi është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe për këtë shkak, dosja i është përcjellë për kompetencë Strukturës së Posaçme, SPAK.
Dani mbeti i vdekur në vend, pas breshërisë së plumbave drejt mjetit të tij, ndërsa Shaljani vdiq pas disa ditësh në gjendje kritike.
I njohur si krahu i djathtë i Shullazit, Dani ka një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.