Aplikacion
Një tërmet me magnitudë 5.4 të shkallës Rihter ka goditur në orët e para të mëngjesit veriperëndimin e Greqisë, shumë pranë kufirit me Shqipërinë. Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, lëkundja sizmike u regjistrua në orën 05:32 me orën lokale dhe kishte një thellësi rreth 5 kilometra.
Epiqendra e tërmetit u përcaktua rreth 10 kilometra në veriperëndim të zonës së Lepokarisë në rajonin e Thesprotisë. Për shkak të thellësisë së vogël, lëkundja është ndjerë më fort nga banorët e zonave përreth. Tërmeti u perceptua në disa pjesë të Epirit dhe Thesalisë, si edhe në disa ishuj të Detit Jon.
Pas goditjes kryesore janë regjistruar edhe disa pasgoditje. Njëra prej tyre ishte në magnitudën 4.7 Rihter, ndërsa një tjetër u regjistrua me magnitudë 3.4. Sizmiologët theksojnë se pasgoditjet janë një fenomen i zakonshëm dhe mund të tregojnë se energjia sizmike po çlirohet gradualisht.
Deri në këto momente nuk janë raportuar dëme në rajonet e Thesprotisë, Janinës apo në jug të Shqipërisë. Në një segment të autostradës Egnatia, pranë Eleftherohorit, janë konstatuar vetëm disa rrëshqitje të vogla dheu që nuk kanë ndikuar në qarkullimin e automjeteve./ Zoom.al