zoom

Aktualitet

SPAK i sekuestron telefonin Allajbeut/ Kontrolle të papritura të Spitali Amerikan dhe “Evita sh.p.k.”

SPAK i sekuestron telefonin Allajbeut/ Kontrolle të papritura të Spitali Amerikan dhe “Evita sh.p.k.”

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të papritura në zyrat e Spitalit Amerikan dhe në kompaninë farmaceutike “Evita SHPK”.

Gjatë aksionit, hetuesit konfiskuan pajisje elektronike të ndryshme, përfshirë telefonin personal të drejtorit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.

Por ky veprim u kundërshtua nga Allajbeu, i cili depozitoi një padi për kthimin e celularit, duke pretenduar se sekuestrimi ishte i pabazuar në ligj. Tetë persona të tjerë nga rrethi i tij po ndjekin të njëjtin rrugë ligjore për rikuperimin e sendeve të sekuestruara.

Hetimi i SPAK-ut përqendrohet veçanërisht tek “Evita SHPK”, e cila dyshohet për përfitime të padrejta në tendera me vlera të larta. Një nga rastet më shqetësuese lidhet me tenderin për pajisjet e kardiokirurgjisë, me vlerë 750 milionë lekë, ku një ofertë më e ulët u skualifikua, duke favorizuar kompaninë e lidhur me Allajbeun. Ky rast është vetëm një pjesë e dyshimeve që lidhen edhe me koncesionin e dializës, vlera e të cilit arrin 120 milionë euro.

Kompanisë “Evita” i është dhënë për vite me radhë vëmendje në media politike dhe ekonomike për shkak të lidhjeve të saj me bizneset e Allajbeut. “Evita” është një kompani farmaceutike dhe distributore e pajisjeve mjekësore e themeluar në vitin 2013, që operon në tregun shqiptar me një portofol produktesh të ndryshme për spitalet, laboratorët dhe farmacitë. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me Spitalin Amerikan për të ofruar shërbime dhe ka qenë e pranishme në projekte të mëdha për qendra dialize në vend.

“Evita” dhe kompani të lidhura me Allajbeun kanë qenë fituese të tenderave dhe koncesioneve publike në sektorin e shëndetësisë, duke përfituar kontrata për furnizime me materiale laboratorike apo pajisje mjekësore edhe kur ofertat e tjera në garë kanë qenë më të ulëta në çmim, sipas raportimeve në media.

Po ashtu, ministrja Evis Sala ndodhet në qendër të një konflikti interesi, pasi ndërkohë që miraton zgjatjen e koncesioneve dhe rritjen e pagesave për “Evita SHPK”, ajo figuron si rektorja e “Western Balkans University”, një universitet privat nën pronësinë e Allajbeut. Raportohet se ministrja merr një pagë mujore prej 15 mijë eurosh nga biznesmeni që përfiton miliona nga dikasteri që ajo drejton./ Zoom.al

Postime të lidhura