Aplikacion
Spitali Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, është vënë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës.
Pas një monitorimi të kryer, Konkurrenca vendosi të hapë hetim për Spitalin Amerikan nën dyshimin se ka pozitë dominuese në treg dhe se ofron shërbime ekskluzive, që nuk ofrohen në klinika apo spitale të tjera.
Njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës
“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 09.04.2025, mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor.
Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës realizoi procedurën e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA), në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003.
Gjithashtu, nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024″, njoftoi Autoriteti i Konkurrencës.
Çfarë përcakton ligji?
Neni 8 i Ligjit nr. 9121/2003 përkufizon pozitën dominuese si “pozita e një ndërmarrjeje që ka fuqinë të ndikojë në mënyrë të njëanshme dhe të pavarur nga konkurrentët, klientët apo konsumatorët në treg”.
Neni 9 ndalon abuzimin me pozitën dominuese, që përfshin veprime si: Vendosja e çmimeve të padrejta (shumë të larta ose nën kosto); Kufizimi i prodhimit ose zhvillimit teknologjik; Imponimi i kushteve të padrejta në kontrata apo diskriminimi i klientëve.
“American Hospital SHA”, pasi përthithi “International Hospital SHA”, përfaqëson një pjesë shumë të madhe të sektorit privat spitalor në vend, me rrjet të gjerë klinikash dhe spitaleve.
Spitali Amerikan ofron shërbime të ekspertizuara dhe ekskluzive, që mungojnë në shumicën e spitaleve të tjera private apo publike.
Ndërmarrjet e tjera në treg nuk kanë kapacitete të ngjashme, duke e bërë konkurrencën efektive shumë të kufizuar.
Për konsumatorin pozita dominuese mund të çojë në rritje çmimesh, cilësi të ulët ose mungesë opsionesh alternative për pacientët.
Nëse konfirmohet abuzimi, pacientët mund të kenë qenë të detyruar të paguajnë më shumë për shërbime që, në një treg të lirë, do të kishin kosto më të ulët.
Klodian Allajbeu, pronari i Spitalit Amerikan në Shqipëri, është subjekt i disa hetimeve nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoritete të tjera ligjzbatuese. Më 24 shkurt 2025, ai u paraqit në SPAK, ku u mor në pyetje për rreth dy orë. Edhe pse detajet e plota të hetimeve nuk janë bërë publike, raportohet se ato lidhen me koncesionet në sektorin e shëndetësisë, veçanërisht ato të laboratorëve dhe dializës.
Allajbeu është nën hetim edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai akuzohet për përfshirje në pastrim parash përmes një skeme që përfshin falsifikimin e dokumenteve dhe paraqitjen e tyre të rreme në Administratën Tatimore të Kosovës./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari