zoom

Ekonomi

Konkurrenca mbyll hetimin për Spitalin Amerikan dhe Hygeia pa penalitete edhe pse në “pozitë oligopol”

Konkurrenca mbyll hetimin për Spitalin Amerikan dhe Hygeia pa penalitete edhe pse në “pozitë oligopol”

Një hetim i nisur nga Autoriteti i Konkurrencës në tregun privat të spitaleve është mbyllur pa masa ndëshkuese, pavarësisht shqetësimeve për dominim tregu.

Hetimi kishte në fokus dy nga operatorët kryesorë privatë të shëndetësisë në vend, Spitali Amerikan dhe Spitali Hygeia. Sipas analizës, këto dy institucione kanë një pozitë dominuese në treg dhe ofrojnë disa shërbime shumë të specializuara që nuk gjenden në sektorin publik, si ndërhyrje të avancuara kirurgjikale dhe teknologji moderne diagnostikuese.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka përfunduar se nuk ka prova për sjellje abuzive. Argumenti kryesor është se çmimet për shërbimet e mbuluara nga fondet publike janë të rregulluara dhe të njëjta për të gjithë pacientët, ndërsa në disa raste aplikohen edhe ulje çmimesh ose politika fleksibile.

Në raport theksohet gjithashtu se, edhe pse këto spitale kanë rol dominues, mungesa e alternativave reale në tregun vendas i forcon më tej pozitat e tyre, pasi pacientët shpesh nuk kanë zgjedhje tjetër për disa shërbime të specializuara. Një pjesë e këtyre shërbimeve financohen edhe nga fondet publike përmes kontratave me FSDKSH, duke krijuar një situatë ku operatorët privatë përfitojnë të ardhura të qëndrueshme nga buxheti i shtetit.

Autoriteti e justifikon mungesën e konkurrencës edhe me faktin se pacientët mund të trajtohen jashtë vendit, por ky argument vlerësohet si jo realist për shumicën e qytetarëve për shkak të kostove dhe vështirësive praktike.

Në përfundim, hetimi është mbyllur dhe është vendosur vetëm një periudhë monitorimi njëvjeçare për sjelljen e këtyre operatorëve. Kjo është parë më shumë si një zgjidhje formale sesa si një ndërhyrje efektive në një treg të përqendruar dhe me barriera të larta hyrjeje./ Ekofin.al

Postime të lidhura