Aplikacion
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar sot kontrolle në ambientet e kompanisë farmaceutike “Evita sh.p.k”, në pronësi të biznesmenit të njohur të sektorit privat të shëndetësisë, Klodian Allajbeu.
Bastisjet janë kryer gjithashtu në një firmë tjetër në zonën e ish-Bllokut dhe në një banesë në zonën e Selitës.
Kontrollet po zhvillohen nën drejtimin e prokurores Dorina Bejko, por deri tani nuk ka detaje zyrtare për natyrën e hetimit apo akuzat konkrete.
Kompanisë “Evita” i është dhënë për vite me radhë vëmendje në media politike dhe ekonomike për shkak të lidhjeve të saj me bizneset e Allajbeut. “Evita” është një kompani farmaceutike dhe distributore e pajisjeve mjekësore e themeluar në vitin 2013, që operon në tregun shqiptar me një portofol produktesh të ndryshme për spitalet, laboratorët dhe farmacitë. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me Spitalin Amerikan për të ofruar shërbime dhe ka qenë e pranishme në projekte të mëdha për qendra dialize në vend.
Evita” dhe kompani të lidhura me Allajbeun kanë qenë fituese të tenderave dhe koncesioneve publike në sektorin e shëndetësisë, duke përfituar kontrata për furnizime me materiale laboratorike apo pajisje mjekësore edhe kur ofertat e tjera në garë kanë qenë më të ulëta në çmim, sipas raportimeve në media./ Zoom.al