Aplikacion
UEFA ka reaguar ashpër ndaj planit të FIFA-s për të hapur rrugën e investimeve private në aktivitetet e saj tregtare, përfshirë edhe Kupën e Botës.
Sipas organit qeverisës të futbollit europian, ky projekt “kalon një vijë që institucionet e futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë”.
FIFA prezantoi një propozim për krijimin e një filiali të ri, të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), ku do t’u ofrohet investitorëve të jashtëm mundësia për të marrë pjesë me aksione minoritare, pa kontroll mbi kompaninë. Sipas FIFA-s, kjo nismë synon të rrisë fondet për zhvillimin e futbollit në mbi 10 miliardë dollarë, ndërsa çdo federatë anëtare mund të përfitojë deri në 20 milionë dollarë financim të njëhershëm për projekte zhvillimore.
Sipas raportimeve të Financial Times dhe The Times, grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane Thrive Eternal, e themeluar nga Joshua Kushner. The Times shkruan gjithashtu se ky model mund t’i sjellë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, përfitime që arrijnë në dhjetëra milionë paund, megjithëse burime të FIFA-s, të cituara nga BBC Sport, kanë mohuar se është diskutuar që ai të marrë post drejtues në kompaninë e re.
Vetë Infantino e mbrojti projektin, duke deklaruar se futbolli duhet të shpërndajë më mirë të ardhurat që gjeneron.
“Pjesë të futbollit e kanë kthyer popullaritetin e tij në një vlerë të jashtëzakonshme tregtare dhe ne e mirëpresim këtë sukses. Detyra jonë është të sigurohemi që edhe pjesa tjetër e futbollit të zhvillohet me të njëjtin ritëm,” tha ai.
Megjithatë, UEFA e kundërshton fuqishëm këtë qasje, duke paralajmëruar se mund të hapë rrugën për zgjerimin e mëtejshëm të turneve të FIFA-s, si në numrin e skuadrave ashtu edhe në frekuencën e zhvillimit, me synimin për të rritur të ardhurat.
“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete për t’u tregtuar, veçanërisht pa transparencë mbi atë se kush përfiton financiarisht. Asnjëri prej nesh nuk është pronar i futbollit. Ai nuk është i FIFA-s për t’u shitur,” thuhet në deklaratën e UEFA-s.
Nga ana tjetër, FIFA këmbëngul se do të ruajë kontrollin e plotë mbi FFE-në, si edhe autoritetin ekskluziv mbi qeverisjen e futbollit, kalendarin ndërkombëtar, garat dhe vendimmarrjen sportive.
Propozimi pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s në vjeshtë, ndërsa më pas mund të hidhet në votim nga të 211 federatat anëtare gjatë Kongresit të FIFA-s, që do të zhvillohet në Marok në muajin mars.