zoom

Aktualitet

“SPAK gati t’i komunikojë akuzat”- Fikja e sinjalit të News24, Bardhi: Artikulli në Gazetën Shqiptare që çoi në hakmarrjen e Ballukut

“SPAK gati t’i komunikojë akuzat”- Fikja e sinjalit të News24, Bardhi: Artikulli në Gazetën Shqiptare që çoi në hakmarrjen e Ballukut

Pas publikimit të një artikulli investigativ nga Gazeta Shqiptare më 8 gusht, ku Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, përmendej si subjekt i një hetimi të avancuar nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me detyrën, reagimi nuk ka vonuar.

Të nesërmen, më 9 gusht, u ndërpre sinjali i televizionit News24, ndërsa ambientet e redaksive të Focus Group Media (News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama) u rrethuan nga forca policore dhe iu ndalua puna stafit.

Gazment Bardhi, një nga zërat më kritikë të opozitës, e ka cilësuar këtë zhvillim si një akt të pastër hakmarrjeje politike. Sipas tij, ndërhyrja ka qenë e koordinuar dhe e urdhëruar nga shoqëria shtetërore “KAYO” sh.a., e cila drejtohet nga Ermal Nufi – një emër i afërt me Ballukun, që aktualisht mban edhe postin e kreut të Këshillit Mbikëqyrës të kësaj shoqërie.

Bardhi thekson se ambientet e mediave të prekura janë me kontrata qiraje të vlefshme deri në vitin 2033, dhe se veprimi për t’i zaptuar ato është i paligjshëm dhe motivuar politikisht, për të frenuar hetimet dhe zërat kritikë në media.

Ai kujton gjithashtu përfshirjen e Nufit në tendera të dyshimtë, si dhe lidhjet e tij direkte me Ballukun. Sipas Bardhit, ky nuk është një rast administrativ, por një përpjekje për censurë në prag të hetimeve të SPAK ndaj një prej zyrtarëve më të lartë të qeverisë.

“Qëllimi nuk është marrja në administrim e një prone shtetërore, por heshtja e mediave kritike. Po përdoren presione politike dhe forca për të ndikuar në drejtësi. E kanë gabim!”, shkruan Bardhi në reagimin e tij publik.

Ai paralajmëron se ngjarja kujton mbylljen e Agon Channel vite më parë, duke sugjeruar se autorët e këtij veprimi do të përballen me të njëjtin fat.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit: 

Në datën 8 Gusht 2025, ora 18:40, Gazeta Shqiptare, pjesë e “Focus Group Media”, publikoi shkrimin për komunikimin e pritshëm të akuzës nga SPAK për ZëvendësKryeministren Belinda Balluku (foto 1).

Në datën 9 Gusht 2025, ora 07:00, shoqëria shtetërore “KAYO” sh.a., ku rezulton se kryetar i Këshillit Mbikëqyrës është Ermal Nufi (foto 2) urdhëron zaptimin e të gjitha pronave ku ushtrojnë veprimtarinë mediatike News 24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, pavarësisht se pjesa dërrmuese e tyre as nuk i kanë kaluar në administrim shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. (pronat janë me qira të vlefshme deri në vitin 2033, me nje vlerë vjetore qiraje 180 mijë euro, siç konfirmonte edhe vetë MEKI në një deklaratë zyrtare).

Ermal Nufi është njëkohësisht drejtori i kabinetit të Belinda Ballukut (foto 3) dhe do të kujtohet vetëm për faktin se si kryetar i Bordit të ARRSH, i dha kompanisë së vëllait të tij tender rreth 900 mijë euro, e denoncuar kjo edhe nga emisioni “Vetting” në News24 (foto 4).

Tani kjo shoqeria “KAYO” sh.a., ku Ermal Nufi, është kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, urdhëron një kriminel të njohur si Ardi Veliu, që të zaptojë të gjitha ambientet e punës së News24, Balkanweb, Gazetës Panorama dhe Gazetës Shqiptare, duke mos i lejuar gazetarët dhe stafin mediatik që të punojnë as në ambientet që shoqëria mediatike i ka me qira të vlefshme nga shteti deri në vitin 2033.

Pse? Sepse qëllimi nuk është të marrin në administrim një pronë shtetërore, por të heshtin çdo zë mediatik kritik ndaj tyre, me shpresën se presioni me banda ndaj një prokurori të SPAK do të funksionojë. E keni gabim! Erion Veliaj u bë shkaku për të cilin u mbyll Agon Channel. Fatin e tij e dini. Ai do jetë edhe fati juaj!/ZOOM.AL

Postime të lidhura