zoom

Aktualitet

Sqarimi i Avokaturës së Shtetit: Kontrata e News24 për ambientet ka përfunduar para tre vitesh

Sqarimi i Avokaturës së Shtetit: Kontrata e News24 për ambientet ka përfunduar para tre vitesh

Avokatura e Shtetit ka dhënë një deklaratë lidhur me situatën e krijuar në televizionin News24, pas rrethimit të godinës së tij me policë dhe kërkesës për lirimin e ambienteve.

Sipas Avokaturës, shoqërisë “Fokus Media News”, që menaxhon News24, i ka përfunduar kontrata e qirasë për ambientet në pronësi shtetërore prej më shumë se tre vitesh.

Avokatura e Shtetit shton se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka kërkuar zyrtarisht lirimin e ambienteve brenda 25 korrikut 2022, por subjekti nuk ka zbatuar këtë detyrim dhe ka vijuar të mbajë ambientet në kundërshtim me ligjin, duke nisur procese gjyqësore për të penguar ekzekutimin e detyrimit.

Deklarata e Avokaturës së Shtetit:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.

Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.

Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike./ Zoom.al

Postime të lidhura