Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas sulmit të qeverisë ndaj televizionit News 24, duke i dërguar forcat e policisë dhe i duke i kërkuar të lirojnë godinën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku e cilësoi këtë si një veprim të papranueshëm dhe të rrezikshëm për lirinë e medias.
“Në vendet ku regjimet kanë frikë nga e vërteta, dërgohet policia te dyert e medias. Ashtu si sot, kur forcat e policisë u shfaqën para News 24, pa vendim gjykate, me skena dhune që i shkojnë vetëm një shteti autokratik”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, me këtë akt qeveria tregoi edhe një herë fytyrën e saj kontrolluese.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Kur regjimet kanë frikë nga e vërteta, dërgojnë policinë te dyert e medias.
Ashtu si po ndodh sot në fillim të gushtit, kur forcat e policisë u shfaqën para News 24, pa vendim gjykate, me skena dhune që i shkojnë vetëm një shteti autokratik.
Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë: një pushtet që kontrollon çdo gjë, por kur nuk mund të blejë apo shantazhojë, përdor forcën.
Rrethimi i News 24 nuk është thjesht presion ndaj medias – është një sulm i hapur ndaj demokracisë.
Një vend kandidat për BE nuk mund të trajtojë median kësisoj.
Bashkimi Europian nuk pranon vende ku shtypi rrihet, ku gazetarët kërcënohen dhe ku e vërteta shkelet me çizme.
Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo zë i lirë.
Dhe atëherë nuk do të ketë më kush të flasë./ Zoom.al