zoom

Aktualitet

“Rikthehet” Ardi Veliu – Skandalet e mëhershme dhe roli në operacionin kundër News24

“Rikthehet” Ardi Veliu – Skandalet e mëhershme dhe roli në operacionin kundër News24

Operacioni kundër grupit mediatik të familjes Hysenbelliu sot, riktheu në vëmendje një personazh të “njollosur” të qeverive Rama.

Ardi Veliu, dikur drejtues i Policisë së Shtetit dhe më pas në pozicione disa grada më poshtë, është rikthyer si drejtues i KAYO, kompanisë shtetërore që do të prodhojë armë e municione për Shqipërinë në zonën e ish-uzinës së Traktorëve, aty ku deri dje operonte televizioni News 24.

Ndonëse vendimi i kalimit të këtij trualli në pronësi të KAYO është vendim i këshillit të qeverisë, emri i Ardi Veliut në krye të kompanisë duket si përmbushja e një profecie. Veliu, përshkak të skandaleve në të cilat u përfshi, krijoi imazhin e një “gangsteri” që përfitonte nga fuqia që i jepte uniforma, përshtypje që më vonë u përforcuan nga akuzat dhe provat që e lidhin atë me krimin.

Ardi Veliu rezultonte se shoqëronte si shofer Klement Balilin, Escobarin e Ballkanit, ndërsa policia shqiptare e kërkonte.

Një ndër skandalet me më shumë ndikim tek qytetarët ishte dhuna e efektivëve të tij ndaj një të mituri, i cili kishte kaluar orën e karantinës. Kur ai u pyet për ngjarjen, Veliu publikoi një video demaskuese të nënës së të miturit, me armë lodër dhe duke komentuar se sa “mama e keqe” ishte ajo.

Një tjetër efektiv i Veliut, Nevaldo Hajdaraj, tashmë në burg, qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha, po për të njëjtën arsye si më lart. Vrasja e të riut nga Policia solli një revolt të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, duke bërë që për disa ditë në vend, situate të ishte tejet e tensionuar.

Protestuesit kërkonin shkarkimin e Ardi Veliut, por morën përgjigje negative nga vetë kryeministri Rama. Në vend të tij u “sakrifikua” asokohe ministri Lleshaj, i cili mori përgjegjësi dhe kërkoi falje për ngjarjen.

Pas tij, Veliu i “hëngri kokën” edhe Bledi Çuçit, që u emërua ministër pas Lleshajt.

Ardi Veliu u largua përfundmisht nga Policia e Shtetit në tetor të 2023-shit, kur dha dorëheqjen si drejtues i AMP-së, për t’u larguar përkohësisht nga funksionet publike. 1 vit më vonë, ai u emërua drejtues i KAYO, kompanisë me aksione shtetërore që do të prodhojë armë dhe municione ushtarake./Zoom.al

Postime të lidhura