zoom

Të gjitha

Rritja e rasteve me covid vë në rrezik pushimet verore

Rastet e infektimeve me Covid janë gjithnjë e më në rritje në disa nga pikat e preferuara të pushimeve për evropianët duke ngritur shqetësime për më shumë kaos  për miliona vetë këtë verë.

Britania e Madhe, Spanja , Franca, Greqia dhe Gjermania aktualisht po regjistrojnë një rritje të infeksioneve, ndërsa shpërthimet po rriten më të njëjtin intensitet edhe në ishujt e njohur të Karaibeve.

Edhe pse tani për pushuesit nuk ka më nevojë të dëshmojnë se janë pa Covid dhe të vaksinuar për t’u lejuar në shumë nga destinacionet evropiane dhe jo vetëm, autoritet e shëndetësisë në Evropë, të cilët janë të alarmuar për shtimin e rasteve – kanë bërë thirrje për një kthim të maskave dhe ndoshta disa kufizimeve.

Profesori britanik Martin McKee, tha për MailOnline se pushuesit po përballen me një verë pasigurie.

“Ne mund të shikojmë nivelet e infeksionit tani, por kjo nuk na tregon se ku do të jenë kur të udhëtojmë dhe As nuk na tregon nëse ka prekur njerëzit që do të fluturojnë drejt të njëjtit destinacion apo personelin që do të na shërbejë gjatë gjithë kohës”, tha ai.

“Qeveritë mund të pretendojnë se gjithçka është mirë, por kam frikë se shumë shpejt virusi do t’u tregojë atyre se e kanë  gabim”, tha ai.

Shpërthimet në të gjithë Evropën po nxiten edhe nga nënvariantet e Omicron BA.4 dhe BA.5, të cilat mendohet se janë edhe më infektive se lloji BA.2 që bëri që infeksionet në Mbretërinë e Bashkuar të arrijnë një rekord prej 4.1 milionë në prill.