zoom

Të gjitha

Rrëfimi i “trafikantit” të drogës: Doja të prodhoja Bitcoin, por i rashë shkurt dhe mbolla hashash

I zoti i shtëpisë, e kishte dhënë banesën me qira tek shokët e djalit. Në një nga ditët e para të majit, kur shkoi për vizitë tek ish-fqinjët, u çudit disi nga bari në oborrin e shtëpisë së tij private, por nuk i kushtoi rëndësi.

Derisa një telefonatë e alarmoi. Një agjent krimesh, i kërkoi të paraqitej urgjent në Komisariatin e Vorës, pasi në shtëpinë e tij private, kishin zbuluar kthimin e saj në një “parcelë” të mbyllur hashashi.

Sipas dosjes shtetasi S.S., identifikohet si pronari i shtëpisë në Kodër Vorë, që ia kishte lënë për ruajtje P.Ç.

“Ai hapte dyert për ajrim dhe më herët në fundjavë shkoja dhe unë”, – rrëfen në Policinë e Vorës kryefamiljari, ndërkohë që gjatë muajit qershor 2021, i biri e kishte sensibilizuar.

“Më tha përse mos ta jepnin me qira tek një shok i tij, të quajtur A.Gj., dhe kështu që e lëshuam me qira”, – thonë burimet e Gazetasi.al, të ketë deklaruar në policinë lokale i moshuari që jeton në Tiranë.

“Kontratën e parë e bëmë me A., dhe kur më ka thënë se donte të lëvizte në Suedi, kërkoi që ta ndryshojmë kontratën, duke e vënë emrin e një shokut të tij. Emrin e këtij personi nuk e mbaj mend, por e keni në kontratë”, këmbëngul i moshuari.

Gjatë aksionit, policia shprehet , se arrestoi në flagrancë  për vjedhje energjie elektrike dhe prodhim narkotikësh F.B., një 33-vjeçar nga Peqini, i cili është personi që kishte mbjellë hashash në këtë objekt.

Ekskluzivisht, burimet policore tregojnë  se F.B. është justifikuar duke theksuar se u përpoq të bënte para.

“E mora shtëpinë për veten time, – rrëfehet i dyshuari, – dhe jetova vetëm. Kisha si pikësynim që të vendosja aparatura për prodhimin e Bitcoinit, pastaj ndryshova mendje dhe vendosa të kultivoj bimën narkotike. Nisa të bëj përshtatjen e banesës, bleva bazën materiale. Por nuk munda të marr prodhim, pasi bima u prish, ndaj nisa heqjen e aparaturave  dhe nisa sistemimin e  banesës. Nuk më ka ndihmuar askush, kam punuar vetëm dhe shoku që ma dha me qira, i quajtur A., kur ka ardhur në shtëpi nuk ka parë asgjë. Edhe ndërhyrjen për të vjedhë energji e kam bërë vetë, s’më ka ndihmuara askush”, – citojnë burimet, të ketë thënë i dyshuari.

Megjithatë, policia thotë, se vendosi nën procedim në gjendje të lirë edhe një grua me inicialet S.D., e cila  dyshohet se shpërdoroi detyrën, pasi  duke qenë faturiste e OSHE-së në zonën e Kodër Vorës, nuk ka konstatuar ndërhyrjen në linjën e furnizimit me energji elektrike.

Ndërkohë, i riu A.Gj., sipas policisë do të procedohet në gjendje të lirë, pasi nuk kallëzoi krimin.

Policia thotë se në banesë gjeti materiale me bimë narkotike me peshën e 10 gramëve.

Ndërsa dy telefona të të rinjve, janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm kriminalistik pranë laboratorit të Policisë Shkencore./Gazetasi.al