zoom

Art & Kulturë

Robert Redford, njeriu përtej mitit të Hollivudit

Robert Redford, njeriu përtej mitit të Hollivudit

E marta e sotme do të ishte dita e fundit në jetë për ikonën e kinemasë Hollivudiane, Robert Redford.

Lajmi i kobshëm u konfirmua nga prestigjozja New York Times, e cila raportoi se aktori ndërroi jetë në gjumë në shtëpinë e tij në Utah, ku jetonte tashmë prej kohësh pas një jete të kaluar në qendër të vëmendjes.

I lindur më 18 gusht 1936, në Santa Monica të Kalifornisë, në një familje modeste, Charles Robert Redford shpejt përjetoi vështirësitë e punës dhe ashpërsinë e një arsimimi tradicional. Pas një periudhe të shkurtër në Universitetin e Kolorados, ai la studimet dhe u zhvendos në Evropë, midis Parisit dhe Firences, ku kultivoi pikturën dhe zhvilloi një shije kozmopolite. Me t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara, ai iu përkushtua aktrimit, duke studiuar në Nju Jork dhe duke bërë hapat e parë në teatër.

Redford debutoi si aktor në vitet 1960, por ishte në dekadën pasuese që ai e vendosi veten si një aktor kryesor. Këto ishin vitet në të cilat Hollywoodi po kalonte një ndërrim brezash dhe një terren të jashtëzakonshëm për talente të reja: De Niro, Hoffmann, Meryl Streep, Scorsese, Coppola dhe Spielberg janë disa nga emrat që, së bashku me Redford, ndryshuan konceptin për artin në SHBA.

Ndonëse gjithmonë nën dritën e reflektorëve, Redford është treguar i rezervuar dhe larg thashethemeve, duke u përpjekur ta mbrojë familjen e tij nga ekspozimi në media.

Ishte viti 1958, kur aktori u martua me Lola Van Wagenen, me të cilën qëndroi për gati tridhjetë vjet dhe pati katër fëmijë: Scott, Shauna, James dhe Amy. Martesa përfundoi në vitin 1985, pa skandale dhe shumë diskrete. Në vitin 2009, ai u rimartua me Sibylle Szaggars, një piktore gjermane gati njëzet vjet më e re se ai, me të cilën ndau ditët e tij deri në fund midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Por pas imazhit të një ylli amerikan, jeta e Robert Redford u shënjua nga tragjedi të mëdha personale, për të cilat rrallë fliste. Duke filluar me vdekjen e parakohshme të nënës së tij, kur aktori ishte vetëm 18 vjeç e deri te humbja e dy fëmijëve. Djali i madh, Scott, i lindur në vitin 1959, vdiq vetëm dy muajsh, një traumë që do ta lëndonte përgjithmonë aktorin, i cili në atë kohë ishte pak më shumë se njëzet vjeç.

Por llogaria me fatin nuk mbaron këtu sepse, vite më vonë, në vitin 2020, Redford do të duhet të përballet me një dhimbje të re: humbjen e djalit të tij James, i njohur si Jamie, një krijues dokumentarësh i përkushtuar ndaj kauzave mjedisore dhe sociale, regjisor dhe producent, i cili ndërroi jetë në moshën 58 vjeç për shkak të kancerit.

Redford, i cili u tërhoq nga aktrimi në vitin 2018, gjithmonë ruajti një ekuilibër midis mitit publik dhe brishtësisë private. Ambientalist i vendosur, i përkushtuar ndaj të drejtave civile dhe artit të pavarur, ai ndërtoi imazhin e një ylli të pavdekshëm që tragjeditë familjare nuk ia zbehën kurrë vitalitetin krijues dhe vizionin unik të të bërit filma. /Zoom.al

Postime të lidhura